Komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për të shqyrtuar në parim një paketë projektligjesh të rëndësishme që prekin sektorin e drejtësisë, përfshirë ato për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë, Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial si dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ky shqyrtim ka nxitur reagimin e menjëhershëm të nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka kritikuar ashpër mazhorancën për përshpejtim të procedurave pa debat publik, ndërsa i akuzoi për bllokim të projektligjit për Dhomat e Specializuara.
“Sot, në komisionet e Kuvendit po përshpejtohet shqyrtimi i një numri të madh projektligjesh të Qeverisë, shumë prej tyre për sektorin e drejtësisë. Pa analizën e duhur, pa debat substancial dhe pa dëgjime publike. Drejtësia nuk reformohet duke shmangur shqyrtimin parlamentar. Ky nxitim ngre dyshime serioze se ligjet po i përshtaten agjendës politike të pushtetit,” deklaroi Çitaku.
Tutje, ajo paralajmëroi se po bëhen dallime me projektligjin që mbron UÇK-në.
“Ndërkohë, projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mbahet në sirtarin e ministres, nën arsyetimin e ‘ekspertizës juridike’. Për ligjet e tjera, procedura të përshpejtuara. Për mbrojtjen e UÇK-së, zvarritje! Donikë, Albin dhe zyrtarë përgjegjës: mos e pengoni këtë projektligj. Procedojeni menjëherë në Kuvend. Dëgjojeni popullin që tash e 15 ditë është në shesh. Çdo ditë vonesë vetëm sa ka për ta rënduar përgjegjësinë tuaj. Dhe më besoni: dita e llogaridhënies do të vijë”, shkruan Çitaku në reagimin e saj. /E.A/
