Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Marta Kos, ka njoftuar gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian se do të vizitojë Tiranën në shkurt të këtij viti. Ajo theksoi se ky vit do të sjellë zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit të BE-së, duke paralajmëruar progres më të dukshëm për vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë.
Kos vlerësoi avancimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar progresin e vendit si një model për shtetet e tjera të rajonit. “Progresi i Shqipërisë duhet të merret si shembull edhe nga vendet e tjera”, tha ajo, duke shtuar se ky është një tregues i forcës dhe angazhimit të Shqipërisë në realizimin e reformave të nevojshme për t’u bërë pjesë e BE-së.
Komisionerja gjithashtu njoftoi se do të vizitojë edhe Malin e Zi, një vend tjetër që konsiderohet përpara në procesin e zgjerimit. Ajo pranoi se të dyja këto shtete, Shqipëria dhe Mali i Zi, pritet të përmbyllin negociatat e anëtarësimit përkatësisht deri në vitin 2027 dhe 2026. “Ne do t’i mbështesim këto vende, por duhet një punë shumë e madhe”, theksoi Kos.
Në fjalën e saj, ajo riafirmoi rëndësinë e parimit të procesit të zgjerimit të bazuar në merita, duke theksuar se kur vendet kandidate përmbushin kriteret e nevojshme, vendet anëtare të BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara të këtyre shteteve. “Ky është një proces që kërkon angazhim të ndërsjellë dhe është në interes të stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit”, tha Kos./UBTNews/