Komisionarja për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka apeluar për një dialog gjithëpërfshirës në Serbi për të adresuar shqetësimet e shfaqura gjatë protestave, si dhe për hetime të pavarura mbi sulmet ndaj protestuesve. Ajo theksoi rëndësinë e respektimit të vlerave themelore të Bashkimit Evropian, siç janë liria e tubimit dhe siguria për qytetarët, duke kërkuar hetime të plota për dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë demonstratave.
Kos theksoi se rruga e Serbisë drejt BE-së është e lidhur me realizimin e reformave që promovojnë lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.
Protestat e studentëve në Serbi, që kanë nisur pas aksidentit tragjik në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, vazhdojnë dhe janë shoqëruar me sulme ndaj protestuesve, përfshirë përplasje me makina dhe goditje me shkopinj. Qendra për Gazetari Hulumtuese (CINS) ka raportuar se janë regjistruar mbi 50 sulme ndaj studentëve. Kos theksoi se procesi i integrimit të Serbisë në BE duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i mbështetur nga shoqëria civile dhe faktori politik.
Protestuesit kanë kërkuar, ndër të tjera, ndalimin e bllokadave dhe publikimin e dokumentacionit mbi rindërtimin e Stacionit të Novi Sadit, si dhe përgjegjësinë për aksidentin. Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e protestuesve të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale, lirimin e aktivistëve të arrestuar dhe rritjen e financimeve për universitetet. Kërkesat e studentëve janë bërë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që sfidon politikën dhe qeverinë aktuale të Serbisë, duke kërkuar reforma dhe përmirësime në sektorin e arsimit dhe të drejtave civile.