UBT News

KOMF dhe Rrjeti i Grave kërkojnë rritjen e buxhetit për shërbimet sociale në vitin 2027

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës kanë marrë pjesë në protestën kundër ndarjeve aktuale buxhetore për shërbimet sociale, të cilat, sipas tyre, nuk reflektojnë nevojat reale të këtij sektori.

KOMF, që përfaqëson 35 organizata anëtare, dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, me 108 organizata anëtare, kanë kërkuar rritjen e financimit për shërbimet sociale, me qëllim të garantimit të vazhdimësisë, qëndrueshmërisë dhe cilësisë së tyre.

Drejtoresha ekzekutive e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, ka thënë se organizatat po kërkojnë më shumë mbështetje institucionale, duke theksuar rëndësinë e këtyre shërbimeve për fëmijët, gratë, familjet dhe grupet e tjera në nevojë.

“Përmes kësaj proteste, kërkojmë rritjen e buxhetit për shërbime sociale, si domosdoshmëri për garantimin e vazhdimësisë, qëndrueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve për fëmijët, gratë, familjet dhe grupet e tjera në nevojë. Kjo kërkesë u drejtohet 120 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke kërkuar angazhimin dhe mbështetjen e tyre për sigurimin e financimit të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet sociale në kuadër të Buxhetit të vitit 2027”, ka deklaruar Kelmendi.

Organizatat pjesëmarrëse kanë vlerësuar se rritja e buxhetit për këtë sektor është e domosdoshme për të siguruar qasje në shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për qytetarët në nevojë./A.K/

Exit mobile version