Përdorimi i pakontrolluar i suplementeve mund të sjellë më shumë dëm sesa përfitim, paralajmërojnë mjekët.
Ata theksojnë se suplementet duhet të merren vetëm kur vërtetohet mungesa e një vitamine apo minerali dhe nën këshillim profesional.
Kombinimet e gabuara mund të zvogëlojnë efektin e njëri-tjetrit ose të shkaktojnë mungesa të rëndësishme ushqyese.
P.sh., konsumimi i kafesë me suplemente hekuri ul ndjeshëm përthithjen. Dr. Karan Rajan shpjegon se edhe marrja e sasive të mëdha të kalciumit ndikon negativisht në përthithjen e hekurit. Po ashtu, disa kombinime të suplementeve mund të shkaktojnë komplikime.
Kombinimet që duhet shmangur:
Kalcium dhe hekur – Nuk rekomandohet të merren njëkohësisht; duhet një interval prej së paku dy orësh. Hekuri përthithet më mirë me vitaminë C, ndërsa kalciumi nuk duhet marrë me ushqime të pasura me hekur.
Zink dhe kalcium – Konkurojnë për përthithje në zorrë, ndaj duhet të merren të ndara me të paktën dy orë diferencë.
Zink dhe hekur – Dozat e larta të hekurit (mbi 25 mg) ulin përthithjen e zinkut. Zinku duhet marrë pas disa orësh.
Çaji jeshil dhe hekuri – Ulin përthithjen e hekurit. Konsumimi i tepruar i çajit jeshil mund të çojë në mungesë hekuri.
Vitamina C dhe vitamina B12 – Vitamina C në doza të larta zvogëlon përthithjen e B12. Duhet të merren të ndara me disa orë.
Zink dhe magnez – Zinku në doza të larta pengon përthithjen e magnezit, prandaj rekomandohet marrja në kohë të ndryshme të ditës.
Mjekët këshillojnë që suplementet të përdoren me kujdes dhe vetëm kur janë të nevojshme, për të shmangur probleme shëndetësore të panevojshme. /A.Z/UBT News/
