Presidentja e vendit, njëherit Komandantja Supreme e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të rinj të FSK-së.
Në fjalën e saj, Osmani tha se ndjehet krenare që Ushtria e Kosovës po i shton radhët me vajza e djem të rinj, të cilët sipas saj, atdhedashurinë po e transformojnë edhe në profesionalizëm.
Ajo tha se rekrutët e rinj po e jetësojnë çdo ditë e më tepër ëndrrën e brezave të tërë, që përpos shtetit donin ta kenë edhe ushtrinë e cila do të jetë në funksion të mbrojtjes së vendit e në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial të çdo cepi të Kosovës.
“Sikurse dikur, djemtë e vajzat e UÇK-së që bartën mbi supe idealet e lirisë sonë, sot ju mbi supet tuaja mbani idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Sot FSK-së po i shtohen edhe 257 rekrutë të certifikuar, vajza e djem me të cilët Forca jonë po e rrit numrin e saj në mbi 3 mijë”.
“FSK-ja ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta andaj inkurajojë vajzat e gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë sonë edhe më tutje. Suksesin e dëshmuar në shumë fusha të tjera, e kanë mundësinë ta tregojnë edhe duke e veshur uniformen e FSK-së”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Osmani tha se me këtë numër të rekrutëve, FSK-ja gjithnjë e më shumë po zhvillohet konform standardeve të ushtrive më moderne në botë, teksa shtoi se kjo tregon se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta.
Komandantja Supreme tha tutje se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës është domosdoshmëri në kohën kur paqja globale po sfidohet çdo herë e më tepër e kur tendencat autoritariste po ngrenë krye.
“Unë kam besim në profesionalizmin e ushtarëve tanë dhe jam e sigurt se këta rekrutë janë të gatshëm që kurdo Republikës sonë t’i bëhen mbrojtës”.
“Agresioni i Rusisë këto ditë po tregon gjithmonë se do të gjinden forca që duan ta shkatërrojnë paqen dhe ta cenojnë të drejtën e kombeve për të jetuar të lirë. Ne, e kemi provuar të njëjtën gjë më parë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë që ushtrinë tonë ta përgatisim sa më mirë, ta rrisim sa më shumë, në mënyrë që ajo të jetë e gatshme jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por edhe një partnere e besueshme e aleatëve tanë në NATO, aleancë në të cilën synojmë ta anëtarësojmë Kosovën”, është shprehur Osmani.
Në fjalën mbyllëse, Osmani tha se sytë e Kosovës janë kah rekrutët e FSK-së e shpresa është e varur tek ta dhe se synimi i Kosovës është paqja dhe nuk duhet lejuar që ajo të cenohet nga askush./klankosova.tv.