Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur në takim mirëseardhës komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ozkan Ulutas, me të cilin diskutuan në lidhje me situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon por edhe për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen.
“Fillimisht Gjeneral Jashari shprehu mirëseardhje Gjeneral Major ULUTAŞ dhe e uroi për detyrën komandantit të KFOR-it, duke i dëshiruar sukses në këtë detyrë të rëndësishme. Gjatë takimit ata diskutuan për zhvillimet e fundit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë trajnimet, stërvitjet, sfidat, operacionet dhe aktivitetet e tjera të saj. Poashtu, u fol edhe për situatën aktuale të sigurisë vendore dhe rajonale, si dhe për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për bashkëpunimin e deritanishëm në mes të FSK-së dhe KFOR-it, si dhe u theksua rëndësia e thellimit të këtij bashkëpunimi, i cili do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë si në Kosovë, ashtu edhe në rajon./EO
