UBT News

Komandanti i forcave të përbashkëta thotë se mbrojtja ajrore e Ukrainës mund t’i përballojë edhe “disa sulme të tjera”

Mbrojtja ajrore lëvizëse e Kievit ka municion të mjaftueshëm për t’u përballur me disa sulme më të fuqishme, por më pas do të ketë nevojë për më shumë ndihmë perëndimore, tha më 3 janar Serhiy Nayev, komandanti i forcave të përbashkëta të ushtrisë së Ukrainës.

Në fund të vitit të kaluar, Rusia nisi sulmet e saj më të mëdha me raketa dhe dronë që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022.

Më pas bombardoi kryeqytetin dhe qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, më 2 janar, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur dhjetëra.

Ushtria ukrainase tha se Rusia e sulmoi me 90 dronë gjatë natës, duke e cilësuar si “numër rekord” të sulmeve ajrore.

“Ka municion të mjaftueshëm për t’i bërë ballë disa sulmeve të ardhshme të fuqishme”, tha Nayev për agjencinë e lajmeve AFP, derisa përmendi situatën aktuale me sistemet e mbrojtjes ajrore lëvizëse.

Në fund të vitit të kaluar Organizata e Kombeve të Bashkuara i kërkoi Rusisë të ndalojë “menjëherë” sulmet në Ukrainë.

Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk dënoi më 29 dhjetor valën vdekjeprurëse të sulmeve ruse në të gjithë Ukrainën dhe i kërkoi Moskës që të ndërpresë sulmet.

“E drejta ndërkombëtare humanitare ndalon në mënyrë eksplicite sulmet e qëllimshme ndaj objekteve civile, dhe sulmet pa dallim, në çdo rrethanë”, tha ai.

Rusia e ka filluar pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL

Exit mobile version