UBT News

Kollçaku thotë se do të ndryshohet Ligji për Sëmundjet Ngjitëse

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, tha se reformat në shëndetësi janë të mëse të nevojshme për stabilizimin e gjendjes në këtë sektor.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kollçaku tha se monitorimi i zbatimit të Ligjit për Pandemi, si dhe plotësim-ndryshimet e ligjeve në shëndetësi, do të jenë prioritetet fillestare të Komisionit që ajo udhëheq.

“Është e qartë që një ndër prioritet kryesore të Qeverisë është luftimi i pandemisë. Ky është problem global, por ne si vend do ta kemi epiqendër përveç çështjeve tjera sepse kemi nevojë për reformë në shëndetësi, kemi nevojë për plotësim ndryshimin e shumë ligjeve, një ndër to është edhe Ligji për sëmundje ngjitëse. Po ashtu do ta monitorojmë edhe zbatimin e Ligjit për COVID sepse si Kuvend e kemi për detyrë monitorimin e qeverisë. Qeveria ka marrë disa masa kufizuese që nuk janë aq drastike që kanë karakter edukues, ku pas lirimit të masave të kemi bashkëpunim me te gjithë sektorët. Detyra e Qeverisë është sigurimi i vaksinës dhe në këtë drejtim po punohet sepse është prioritet”, deklaroi ajo.

Tutje, Kollçaku tha se së shpejti pritet të vijë edhe kontingjenti i dytë me vaksina kundër virusit COVID-19.

“Tani ka filluar vaksinimi dhe jam në dijeni që janë duke u zhvilluar bisedimet që shumë shpejt do të vijnë edhe sasi të tjerave më të mëdha të vaksinave. Ne nuk kemi numër të mjaftueshëm të inspektorëve dhe nuk duhet t’i presim ata se si të sillemi. Ne duhet të fillojmë sillemi përgjegjshëm dhe në krye të tij të jetë Qeveria”, tha Kollçaku.

Ajo tha se Qeveria është e angazhuar maksimalisht që Kosova të ketë në fokus luftimin e koronavirusit.

Exit mobile version