UBT News

Kollçaku: Deri në fund të vitit do të vaksinohen 60 për qind e qytetarëve

Fatmire Mulhaxha –Kollçaku, kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, tha sot është e sigurt që deri në fund të vitit do të realizohet vaksinimi i 60 për qind të qytetarëve të Kosovës.

Ajo këto komente i bëri në debatin e organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare, me mbështetjen e NDI-së, me temën “Pandemia COVID-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë”, që organizohet në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit”.

“Ajo çfarë është e sigurt është që synimi që është përcaktuar nga Qeveria e Kosovës që 60 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të vitit, do të realizohet”, tha Mulhaxha, raporton Telegrafi.

Më tej, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Vetëvendosjes, tha se edhe ekipet e vaksinimit tashmë janë shumë të konsoliduara.

Sipas saj, vaksinimi nuk është i detyrueshëm, por siç tha ajo duhet të punohet shumë në edukimin e qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit.

“… Duhet të punojmë shumë në edukimin e qytetarëve, ku mediat luajnë rol të rëndësishëm për rëndësinë e vaksinimit dhe t’i ftojmë qytetarët të vaksinohen”.

Ajo tha se Kosova radhitet në mesin e vendeve që me sukses e kanë menaxhuar pandeminë.

“Me përgjegjësi të plotë them se aktualisht kemi një situatë të qetë, por duhet të jemi në gatishmëri që t’i përgjigjemi çfarëdo situate me ndonjë variant tjetër, e përgjigja më e mirë ndaj çdo varianti është vaksinimi”, tha Kollçaku-Mulhaxha.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se prej fillimit të vaksinimit e deri më sot në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 324,107 doza të vaksinës, ndërsa gjithsej 93,551 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Vetëm në 24 orët e fundit janë dhënë 12,927 doza të vaksinës kundër COVID-19.

MSH në raport bën të ditur se aktualisht në vend numri i rasteve aktive me coronavirus është 107, ndërsa numri i të shëruarve 105.549. /Telegrafi/

Exit mobile version