“Kur shteti s’na mbron, revoltohemi” shkruan në banerin që kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka lëshuar sot nga ndërtesa e “Reporting House”, për çka u bë thirrje për protestë më 8 mars. Derisa motivi kryesor i kësaj proteste sipas këtij kolektivi është lufta kundër dhunës.
Aktivistja Latra Demaçi tha se dhuna ushtrohet nga patriarkati, kapitalizmi racist, pabarazitë globale dhe ideologjitë që sipas saj cilësojnë disa trupa dhe mendje si “të paaftë”.
Ajo përmendi disa raste të vrasjeve dhe dhunës ndaj grave në Kosovë, duke thënë se janë pasoja tragjike të patriarkatit.
“Marsi po afron e ne rikujtohemi se lufta kundër dhunës strukturore e të përditshme vazhdon. Rikujtohemi se dhuna ushtrohet njëkohësisht nga patriarkati, kapitalizmi racist, pabarazitë globale dhe ideologjitë që cilësojnë disa trupa dhe mendje si të paaftë. Vetëm gjatë kohëve të fundit jemi përballur me: Vrasjen e Erona Çoklit nga ish-burri i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj në prill të vitit të kaluar, vrasjen e Gjuljeta Ukellës nga burri i saj në Pejë vetëm 5 ditë më vonë, vrasjen e gruas nga burri i saj në Graçanicë dhe tentimin për vrasje të gruas në Fushë Kosovë. Ndëshkimin e punëtoreve teknike të Kuvendit të cilat grevuan për paga dhe kushte dinjitoze të punës, amnistimin e dhunës në familje për hir të spektaklit televiziv e jo vetëm…Këto nuk janë raste të izoluara, por pasoja tragjike të patriarkalitetit që mundëson dhunën fizike, emocionale, seksuale e ekonomike që ushtrohet mbi gratë në përditshmëritë tona private dhe publike”, shtoi Demaçi.
Demaçi bëri thirrje për protestë dhe marshim më 8 mars në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Ajo tha se kjo datë “le të jetë për solidaritetin, jetën dhe përkujdesjen për njëra-tjetrën”, duke u thirrur në protestë për dinjitet, siguri dhe mirëqenie të të gjitha grave dhe vajzave.
“Ky 8 Mars le të jetë për solidaritetin, jetën dhe përkujdesjen për njëra-tjetrën. Këtë 8 mars, ejani të ri zotohemi, të protestojmë e të marshojmë për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e të gjitha grave dhe vajzave. Të protestojmë për çrrënjosjen e të gjitha sistemeve të shtypjes në Kosovë dhe për të gjithë popujt. Të marshojmë të zemëruara dhe të zemëruar kundër kulturës së përdhunimit, cenueshmërisë së shtëpive dhe dhunës ndaj trupave dhe mendjeve me aftësi të kufizuara. Marshojmë për grevat si revoltë kundër kapitalizmit neoliberal. Marshojmë për drejtësi, për gratë rome, ashkalike e egjiptiane, ashtu siç ato e përcaktojnë lirinë e tyre. Për gratë trans e queer në shumëllojshmërinë e tyre. Për gratë myslimane që bartin besimin e tyre dukshëm. Marshojmë kundër kolonializmit, gjenocidit e luftës. Për një Palestinë, Kongo, Sudan e botë të lirë. Revoltën për njëra-tjetrën. Nga ora 12:00 në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, ky 8 mars le të jetë për solidaritetin, jetën, përkujdesjen, për njëra-tjetrën”, potencoi ajo.
Këtë organizmin kolektivi “Marshojmë s’festojmë” e bëri në kuadër të aktiviteteve të marshit për 8 mars.