Pesë persona u morën të pandehur në Nju-Jork, të akuzuar se kanë organizuar një rrjet të trafikimit të kokainës me vlerë miliona dollarë, duke përdorur çanta me të cilat fëmijët marrin ushqimin në shkollë.
Çantat e përdorura, shumica prej të cilave mbanin fotot e personazheve të dashur për fëmijët, dërgoheshin me postë në Nju-Jork dhe Masaçusets, sipas Prokurorit Special të Antidrogës. “Kjo ishte praktika normale e punës për këtë organizatë”, tha prokurorja speciale Bridget G. Brennan. “Por policisë nuk ia hodhën dot me këtë taktikë”.
Drejtuesit e kësaj bande, Carlos Duarte, 36 vjeç, dhe Alexis Garcia, 41 vjeç, akuzohen se kanë dërguar disa pako me çanta të mbushura me kokainë nga Porto Rico në Nju-Jork në periudhën maj 2020-korrik 2021.
Përveç tyre, janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë, Bryan Centeno-Rosado, 23 vjeç, Raul Sweeney, 27 vjeç, dhe Wesley Coddington, 43 vjeç. Hetuesit thanë se gjatë operacionit kanë sekuestruar 30 kilogramë kokainë.