Pas shpalljes në gazetën zyrtare, Kodi Doganor dhe i Akcizave do të hyjë në fuqi më 26 maj, ka njoftuar sot Dogana e Kosovës.
Aktet nënligjore të parapara me këtë Kod do të miratohen brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Deri në miratimin e këtyre akteve nënligjore, do të vazhdojnë të zbatohen aktet nënligjore ekzistuese, për aq kohë sa ato nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri.
Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri, do të shfuqizohet kodi nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë, Ligji nr. 04/L-099 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri.
Ky ndryshim i rëndësishëm synon të modernizojë dhe përmirësojë sistemin doganor dhe të akcizave në Kosovë, duke ofruar një kornizë më të qartë dhe më të efektshme.
Kodi i ri është hartuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të lehtësuar tregtinë, duke e bërë më të thjeshtë dhe më efikas procesin e doganimit për bizneset dhe individët.