UBT News

KNKK: Dezinformimi po rrezikon punën e Kryqit të Kuq në Ukrainë

Një fushatë masive dezinformuese që synon Kryqin e Kuq pasi ky i fundit po ofron ndihmë në konfliktin në Ukrainë, po e vë në rrezik stafin e saj, tha organizata të martën.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dënoi gjithashtu nivele “të neveritshme dhe të papranueshme” të dhunës që ushtrohet mbi civilët.

KNKK tha se ishte përballur me një breshëri akuzash për përpjekjet e saj për të lehtësuar evakuimet nga qytetet në Ukrainë dhe për komunikimet e saj me të dyja palët në konflikt.

“Ne po shohim sulme të qëllimshme, të synuara duke përdorur narrativa të rreme dhe duke shpërndarë këtë informacion për të diskredituar KNKK-në”, u tha gazetarëve në Gjenevë zëdhënësi, Ewan Watson.

Prej kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kishte pasur “një fluks të madh keqinformimi dhe dezinformimi që ne e shohim si të qëllimshëm, të synuar dhe të orkestruar nëpër kanalet e mediave sociale… dhe herë pas here duke u shfaqur në mediat kryesore”.

“Kjo ka potencialin të shkaktojë dëm të vërtetë për ekipet tona… në terren dhe për njerëzit të cilëve u shërbejmë”.

Një akuzë që qarkullonte në mediat sociale ishte se organi me bazë në Gjenevë ndihmoi në organizimin e evakuimeve të detyruara të ukrainasve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit në Rusi.

Watson këmbënguli se KNKK “nuk do të mbështeste kurrë ndonjë operacion që do të shkonte kundër vullnetit të njerëzve dhe parimeve tona”.

Një tjetër pretendim ishte se organizata po krijonte një zyrë në Rostov, në Rusinë jugore, për të “filtruar ukrainasit”, një akuzë që Watson e përshkroi si “absolutisht të rreme”.

ICRC pranoi se po diskutonte hapjen e një zyre në Rostov, por theksoi se kjo ishte pjesë e një “zgjerimi të madh rajonal për t’u marrë me një krizë masive humanitare”.

Watson këmbënguli se organizata neutrale po kërkonte thjesht të përmbushte mandatin e saj për të mbështetur dhe ndihmuar viktimat e konfliktit kudo që ndodheshin.

Watson theksoi se “neutraliteti ynë dhe veprimi ynë i paanshëm humanitar duhet të respektohet”.

Asnjanësia e KNKK-së është ajo që e lejon atë “të arrijë, të ndihmojë dhe, në shumë raste, të shpëtojë jetën e civilëve”, sipas tij.

Organizata tha se kishte bërë propozime të hollësishme për të siguruar një kalim të sigurt dhe evakuime nga Mariupoli, ku rreth 160,000 njerëz mbeten të bllokuar me pak ushqim, ujë ose ilaçe./UBTNews/

Exit mobile version