Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka shprehur shqetësimin për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosakreditimin e disa ekipeve të mediave anëtare të këtij trupi vetërregullues për zgjedhjet e 12 tetorit.
Nëpërmjet një reagimi KMShK ka thënë se KQZ nuk ka akredituar disa media në gjuhën shqipe dhe serbe.
“KMShK e konsideron këtë vendim të papranueshëm dhe të dëmshëm për lirinë e medias dhe informimin e drejtë dhe transparent në ditën e zgjedhjeve. Mediat anëtare të KMShK-së i plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara për veprimtari mediale. KMShK i bën thirrje Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që të marrë vendim meritor në lidhje me këtë çështje, në mënyrë që të gjitha mediat të kenë trajtim të barabartë”, thuhet në reagim.
Kujtojmë, të dielën më 12 tetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e rregullta për kryetar të komunave dhe asamblistë në kuvendet komunale./S.K/EO/