Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka organizuar tryezë me përfaqësues të institucioneve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile rreth obligimeve, përgjegjësive e sfidave të mediave gjatë zgjedhjeve. Aty u kërkua nga mediat që të jenë të balancuara dhe t’iu japin hapësirë të barabartë të gjitha subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti, tha se Ligji për Zgjedhjet kërkon nga mediat të paraqesin në mënyrë të drejt dhe të paanshme të gjitha subjektet politike të certifikuara.
Përkitazi me këtë, ai tha se KMP-ja ka hartuar një rregullore të re, ku i mundëson mediave të kenë më të lehtë dhe të qartë obligimet e veta gjatë fushatës zgjedhore.
“Ligji kërkon nga vet mediat që të sigurojnë që të gjitha subjektet politike të certifikuara përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme në emisionet gjatë fushatave zgjedhore. Mbikëqyrjen e zbatimit të këtij obligimi ligjor e ka KMP-ja, duke kërkuar që të nxjerr një udhëzues që siguron kushte të barabarta dhe mosdiskriminuese për qasje në kohën e reklamimit, shpalosjen e çmimit të hapësirës reklamuese që i vihet në dispozicion partive politike. KMP-ja ka iniciuar hartimin një rregullore të re për sjelljen e mediave gjatë fushatës zgjedhore. Qëllimi i kësaj rregullore është fillimisht përmbledhja e të gjitha dispozitave ligjore në një vend, në mënyrë që mediat të kenë më të lehtë dhe më të qartë për obligimet e veta gjatë fushatës zgjedhore. Qëllimi i dytë është që të vendosen specifikacione për obligimet që janë lënë në kompetencë KMP-së dhe në theks të veçantë në vendosjen e kufirit, sasinë e kohës që transmetuesi mund t’ia shesë secilit subjekt politik”, tha ai.
Ndërkaq, drejtoresha e departamentit për demokraci në OSBE, Pascale Roussy, tha se është e domosdoshme që gjatë fushatës zgjedhore të 9 shkurtit të ketë një mbulim të balancuar medial për të gjitha subjektet politike.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi një rregullim medial, si një mënyrë për të rregulluar mbulimin e balancuar medial. Duhet të kuptohet se një aspekt shumë i rëndësishëm është që të gjendet balanci i duhur për respekt ndaj pavarësisë editoriale. Është shumë e rëndësishme që profesionistët e mediave të marrin vet masa pozitive, duke respektuar dhe mbuluar në mënyrë të përgjegjshme fushatën zgjedhore”, tha ajo.
Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky institucion për herë të parë do të monitorojë organizimin e takimeve të partive politike, për veprimtarit e fushatës së zgjedhjeve dhe atyre reklamuese.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike për herë të parë do të monitorojë organizimin e takimeve, veprimtarive të fushatës së zgjedhjeve. Po ashtu edhe fushatat reklamuese, materialet të tjera promovuese të subjekteve politike që do të certifikohen për pjesëmarrjen në këto zgjedhje… Këto raporte do të shfrytëzohen si informacione me qëllim të evidentimit dhe krahasimit me të dhënat e deklaruara të fushatës së zgjedhjeve që do të dorëzohen nga subjektet politike”, deklaroi ai.
Në anën tjetër, komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, tha se gjatë fushatës zgjedhore është e rëndësishme respektimi i privatësisë i qytetarëve.
“Në procesin zgjedhor do të kemi një rol të rëndësishëm. Ne do të jemi kujdestar të asaj se çfarë mediat janë duke bërë në raport me qytetarët e thjeshtë. Të keni parasysh se kur flasim për privatësinë, privatësia është një e drejt relative dhe ajo absolute. Andaj dallon privatësia kur flasim për një figurë publike, një politikan dhe dallon shumë kur kemi të bëjmë me qytetarë të thjeshtë”, tha Sogojeva.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të fillojë me 11 janar.