UBT News

KMDLNJ: Vendosja e kamerave me inteligjencë të lartë artificiale në kundërshtim me të drejtat e njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas paralajmërimeve nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e kamerave me inteligjencë të lartë artificiale në Prishtinë. Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se vendosja e këtyre kamerave është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut.

“Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se së shpejti në kryeqytet do të vendosen kamerat e sigurisë me inteligjencë artificiale të fuqishme me të cilat Policia do të identifikojë lehtësisht të dyshuarit, shkelësit e rregullave të trafikut dhe t’i mbajë nën vëzhgim edhe personat që hedhin mbeturina vend e pa vend. Për të qetësuar qytetarët Agjencia për Informim dhe Privatësi ka njoftuar se kërkesa për blerje dhe vendosje të kamerave brenda hapësirave publike është bërë nga Policia dhe se Policia do të shërbehet me pamjet e nxjerra nga kamerat sikur që AIP, kohë pas kohe do të monitorojë këto kamera. AIP, gjithashtu ka njoftuar se sistemi i regjistrimit të të dhënave që do të bëhet nga kamerat që pritet të vendosen në kryeqytet nuk do të përfshijë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe se menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës. Përshkrimi dhe shpjegimi arsyetojnë vendosjen e kamerave sikur ato të mos shkelnin në mënyrë flagrante të drejtën për privatësi, si e drejtë elementare e njeriut. KMDLNj e rikujton publikun se pikërisht kjo organizatë ka propozuar të vendosen kamerat në perimetrin e kontejnerëve për mbeturina për të identifikuar qytetarët e papërgjegjshëm që hudhin mbeturina jashtë kontejnerëve. Vendosja e kamerave të sigurisë e sidomos këto me inteligjencë artificiale është e ndaluar në shumë vende shkaku i mundësisë së keqpërdorimit të të dhënave biometrike që i përpunojnë këto kamera”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se sipas legjislacionit në fuqi, vëzhgimi me anë të kamerave edhe për rastet më të rënda kriminale nuk mund të bëhet pa lejen e organeve ligjzbatuese dhe se ajo trajtohet si rast e jo si tërësi.

“Në rastin e vendosjes së kamerave në kryeqytet po mendohet që vëzhgimi të jetë i përhershëm, 24 orë dhe këtu do të përfshihen të gjithë qytetarët që janë brenda perimetrit që mbulohen nga kamerat pavarësisht nëse janë të dyshuar apo jo. Sipas ligjeve në fuqi, vetura llogaritet si shtëpi e dytë dhe për vëzhgimin e saj duhet leje e veçantë e organeve ligjzbatuese ndërsa kamerat vëzhgojnë pa asnjë leje duke shkelur rëndë privatësinë e mbrojtur me ligj. Se ky vëzhgim do të realizohet vetëm nga Policia e Kosovës nuk paraqet asnjë siguri për ruajtje të privatësisë dhe respektim të drejtave të njeriut për faktin se asnjë bastisje apo arrestim të personave që konsiderohen si persona publikë, pavarësisht kohës dhe kushteve nuk bëhet pa praninë e mediave që nënkupton se informatat rrjedhin nga Policia. Vëzhgimi i paautorizuar ndikon ne rezultatin e hetimeve, në vendimmarrje gjyqësore dhe në mënyrë të pakundërshtueshme e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë. Ky vëzhgim i cili nuk ka monitorim efektiv krijon kushte për shkelje të rënda të privatësisë dhe të drejtave të njeriut përmes kontrollit të familjes, si në vende publike ashtu edhe në ato private. Gjithashtu, AIP, pavarësisht kohës që vepron (sot apo në të ardhmën) nuk mund të ofrojë asnjë siguri për ruajtje të privatësisë për faktin se kryesisht emërohet nga politika dhe është nën ndikimin politik”, thuhet në njoftim.

Në këtë kontekst KMDLNj kundërshton fuqishëm vendosjen e kamerave me inteligjencë të fuqishme artificiale sepse nuk është paraparë me legjislacionin në fuqi dhe në mënyrë brutale krijon kushte për shkelje të privatësisë dhe të drejtat e njeriut. Kamerat për vëzhgim mund të vendosen vetëm në hapësira ku ekziston dyshimi i bazuar për vepra penale dhe me leje të organeve ligjzbatuese apo në hapësira ku pritshmëritë për shkelje të privatësisë janë të vogla.

Exit mobile version