UBT News

KMDLNJ thirrje Kuvendit që të diskutojë mbi statusin e të arrestuarve në Speciale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLN) u ka bërë sot thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që në njërën nga seancat e radhës të diskutojnë për statusin e të arrestuarve në Gjykatën Speciale, të cilët kanë mbrojtje ligjore, por nuk iu mbrohen të drejtat e njeriut.

Në një komunikatë për media thuhet se Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Kosovës duhet të ndërmerr veprime konkrete për këtë çështje ndërsa KMDLNJ është e gatshme të dëshmojë para këtij Komisioni dhe të prezantojë pjesë të raportit monitorues nga distanca.

KMDLNJ thotë se i ka bërë kërkesë Gjykatës Speciale për vizitë monitoruese, por ajo nuk ishte lejuar gjë e cila sipas saj është në kundërshtim me mandatin monitorues marrëveshjen e nënshkruar me Ministrinë e Drejtësisë.

Ndërsa për vizitat e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë në Hagë KMDLNJ thotë se janë më tepër simbolike, duke përkujtuar se ka dallim midis vizitave informuese dhe vizitave monitoruese. Në vizita informuese llogariten vizitat familjare, te miqve, vizita e vetme e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe dy vizita të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

“Vizitat e zyrtarëve të MD -së janë më tepër simbolikë e përpjekjes së demonstrimit të një autoriteti institucional e që në këtë gjykatë ka zero efekte dhe qartazi nuk përkon me mandatin që e ka në sistemin e drejtësisë së Kosovës e që aspak nuk ka ndikim në përmirësimin e kushteve për të arrestuarit”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë

Aktualisht në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë po mbahen të arrestuar tetë shtetas të Kosovës, të gjithë ish-ushtarë të UÇK- së, ata që e themeluan UÇK-në e që i dhanë kuptim dhe përmbajtje luftës për liri dhe çlirim të Kosovës dhe të cilët pas përfundimit të luftës ishin bartës më të lartë të posteve institucionale dhe shtetërore.

Të akuzuar janë Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Hashim Thaçi ish – kryeministër dhe ish-president i Kosovës, Kadri Veseli ish – kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK -së, Rexhep Selimi – ish shef i GP të LVV – së, Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, z/kryetar i OVL të UÇK – së, Salih Mustafa, ish – udhëheqës i BIA-së dhe Pjetër Shala , ish-ushtar i UÇK -së.

Deklarativisht Gjykata Speciale është pjesë e sistemit të Drejtësisë së Kosovës ndërsa faktikisht me asgjë nuk dëshmohet kjo, përkundrazi me asgjë nuk identifikohet si e tillë. Gjykata Speciale me aneks Marrëveshjen tërë sovranitetin e vendimmarrjes e ka bartë mbi vete duke zhveshur Kosovën dhe sistemin e Drejtësisë nga çdo autoritet dhe vendimmarrje, qoftë edhe për shtetasit e saj që aktualisht mbahen peng në këtë Gjykatë.

Puna e kësaj Gjykate është kurdisur në atë mënyrë që, edhe në rast se të të akuzuarve u shkelen të drejtat e njeriut që iu takojnë si të privuar nga liria këto shkelje nuk kanë ku të adresohen. Realisht, Gjykata Speciale i ka dhënë të drejtë ekskluzive për monitorim Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq i cili, për shkak të angazhimeve dhe metodologjisë së punës nuk bënë monitorime të rregullta dhe Ombudspersonit të kësaj Gjykate, një post koti që ka mandat për të drejtat e të punësuarve në këtë Gjykatë dhe jo për të arrestuarit. Këto vizita quhen vizita speciale ndërsa të tjerat janë vizita familjare, pavarësisht postit apo cilësisë së vizitës.

Opinioni duhet ta ketë të qartë se ka dallim të madh midis vizitave informuese dhe vizitave monitoruese. Në vizita informuese llogariten vizitat familjare, te miqve, vizita e vetme e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe dy vizita të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. KMDLNj ka bërë kërkesë Gjykatës Speciale për vizitë monitoruese por se nuk ishte lejuar kjo vizitë në kohën kur vizita familjare për KMDLNj është e papranueshme dhe në kundërshtim me mandatin monitorues që e ka dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e nënshkruar me MD – së e cila ka dështuar të sigurojë qasje për monitorues të KMDLNj – së ashtu siç parashihet me Marrëveshje. Duket qartazi që MD -së nuk paraqet asnjë autoritet pranë kësaj Gjykate prandaj të arrestuarit , shtetas të Kosovë janë të privuar nga e drejta elementare e njeriut që të vizitohen gjatë qëndrimit në paraburgim në këtë mjedis represiv , jo-transparent dhe të mbyllur për monitorues të KMDLNj-së, me një përvojë më tepër se 20 vjeçare në monitorimin e të drejtave të personave të privuar nga liria. Për monitorim të suksesshëm duhet të plotësohen tre kushte elementare, kompetenca profesionale e monitoruesve, besimi dhe pranimi i personave të privuar nga liria që të vizitohen dha bashkëpunojnë me monitorues dhe kushti i tretë, gatishmëria dhe vullneti i institucioneve të mbajtjes, në rastin konkret të Gjykatës Speciale të lejojë dhe mundësojë monitorimin. Në rastin konkret të privuarit nga liria janë shumë të gatshëm të pranojnë në vizita të rregullta monitorues të KMDLNj-së, monitorues të KMDLNj-së ishin dhe janë të gatshëm në çdo kohë të bëjnë këto vizita sepse është kërkesë e të të privuarve nga liria dhe familjarëve të tyre, por se Gjykata Speciale e ka përkufizuar qartë monopolin e KNKK nga Gjeneva dhe të ashtuquajturit Ombudsperson i Gjykatës Speciale për monitorim i cili as nuk është i efektshëm e as në përputhje me standardet ndërkombëtare për faktin se nuk kemi përmirësim të trajtimit e as parimësi dhe efikasitet në zbatimin e procedurave.

Vizitat e zyrtarëve të MD -së janë më tepër simbolikë e përpjekjes së demonstrimit të një autoriteti institucional e që në këtë Gjykatë ka zero efekte dhe qartazi nuk përkon me mandatin që e ka në sistemin e drejtësisë së Kosovës e që aspak nuk ka ndikim në përmirësimin e kushteve për të arrestuarit. Prandaj , KMDLNj pret dhe thërret qe deputetët e Kuvendit të Kosovës, në njërën nga seancat e radhës të diskutojnë për statusin e të arrestuarve në Gjykatën Speciale , të cilët kanë mbrojtje ligjore por nuk iu mbrohen të drejtat e njeriut. Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Kosovës duhet të ndërmerr veprime konkrete për këtë çështje ndërsa KMDLNj – ë është i gatshëm të dëshmojë para këtij Komisioni dhe të prezantojë pjesë të raportit monitorues nga distanca. Të arrestuarit që po mbahen peng në Gjykatën Speciale janë shtetas të Kosovës dhe konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të prerë të gjykatës përkatëse.

Exit mobile version