UBT News

KMDLNj: Pse duhet t’u paguhet rryma katër komunave të veriut?

Qytetarët e Kosovës po përballen me probleme të mbijetesës për shkaqe objektive dhe subjektive kurse ZRRE, me kërkesë të KEDS, operator privat nga Turqia, ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet përtej kërkesave të KEDS duke e rrezikuar seriozisht mbijetesën e pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës.

KMDLNj në shumë reagime ka kundërshtuar këtë rritje të çmimit të rrymës që është e papërballueshme, diskriminuese, duke ndarë konsumatorët në grupe përfituese dhe ato që do të ndëshkohen sikur që liron nga çdo pagesë 4 komunat e veriut të Kosovës, ekskluzivisht sipas parimit etnik.

KMDLNj ka paralajmëruar se këto zhvillime do të shkaktojnë pakënaqësi sociale që do të nxisin protesta kundërshtuese, do të ndikojnë në uljen e investimeve shkaku i pasigurisë ekonomike dhe politike,  si efekte zinxhirore të këtyre diskriminimeve. Po bëhet një luftë puro politike midis pozitës dhe opozitës në mungesë të vullnetit për të bërë zgjidhje në interes të qytetarit. Pozita me këmbëngulësi po e mbronë ZRRE dhe kërkesën për rritje të çmimit të rrymës kurse opozita po e sulmon Qeverinë e Kosovës pse po ua paguan rrymën 4 komunave të Veriut ndonëse të gjitha qeveritë paraprake e kanë bërë të njëjtin veprim.

KMDLNj kërkon përgjigje se kur do të kompensohen qytetarët e Kosovës që janë plaçkitur në periudhën 15 vjeçare përmes fryejes së faturave dhe se a është marrë në përgjegjësi dikush që e ka planifikuar, nuk e ka penguar dhe e ka zbatuar këtë plaçkitje.

KMDLNj e përkrahë çdo protestë paqësore që ka për qëllim mbrojtjen e interesit të qytetarit të Kosovës, pa bërë asnjë dallin në asnjë bazë dhe kundërshton çdo protestë që ka qëllime politike duke keqpërdorur dhe manipuluar gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Exit mobile version