Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të ZRRE-së me të cilin do të ketë rritje të çmimit të faturave për energji elektrike prej 15%.
KMDLNj në reagim thekson se qytetarët e Kosovës, me të drejtë të pakënaqur me këtë paralajmërim të shtrenjtimit të rrymës e që do të përcillet nga ngritja zinxhirore e çmimeve të artikujve tjerë dhe të shërbimeve, nuk duhet të ndalen vetëm me një reagim të çastit në KMDLNj apo te Avokati i Popullit, por duhet të organizohen, përmes aktivizmit qytetar në mbrojtje të interesave të tyre aq më parë që kategoritë e cenueshme; pensionistët, përfituesit e skemave pensionale, veteranët dhe invalidët e luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që nga fillimi i zbatimit për përkrahje financiare, kompensimet apo lëmoshat sociale që i marrin, nuk janë rritur aspak në ndërkohë që çmimet kanë shkuar në qiell.
Reagim i KMDLNj – së:
KMDLNJ KËRKON NGA QYTETARËT QË NË MËNYRË TË ORGANIZUAR TË KUNDËRSHTOJNË SHTRENJTIMIN E RRYMËS
Kohë më parë KMDLNj –ë paralajmëroi se ZRRE –e, ky institucion diskriminues ndaj qytetarëve dhe favorizues ndaj KESCO, do të miratojë rritjen e faturave për energji elektrike në masë prej 13.4 % e që doli të jetë i vërtetë por tash në masë prej 15 %. Realisht, rritja e çmimit për faturat e energjisë elektrike nuk mbetet një rast i izoluar por, pashmangshëm përcillet me rritje të çmimeve të artikujve të tjerë, kryesisht artikujve elementarë dhe të domosdoshëm për ekonomitë familjare që, edhe ashtu janë të cenueshme dhe me vështirësi po i përballojnë edhe çmimet aktuale. Në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës, në mënyrë shumë bujare vazhdon t’ua paguajë rrymën serbëve në Veri të Kosovës duke shpenzuar afërsisht 63 milionë euro në vitin 2022 për këtë akt “bëmirësie“ për qytetarë që janë deklaruar se janë shtetas të një shteti tjetër dhe që pamëshirshëm e shpenzojnë rrymën, jo vetëm për nevoja familjare por edhe për aktivitete kriminale siç janë prodhimi i kriptovalutave dhe kultivimi i lëndëve narkotike që kërkojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka deklaruar se vazhdimi i pagesës së energjisë elektrike për serbët dhe të tjerët në Veri të Kosovës është në kundërshtim me ligjin dhe se cenon parimin kushtetues për barazinë e të gjithë qytetarëve. Me, një fjalë është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe është veprim diskriminues. KMDLNj –ë, në shumë reagime publike ka kërkuar nga të gjitha qeveritë e Kosovës që të ndërprejnë pagesën e faturave të energjisë elektrike në bazë të parimit etnik, favorizues për serbët dhe përjashtues për shqiptarët dhe të tjerët (pagues të rregulltë të faturave) dhe se faljen e pjesshme apo të krejt borxhit ta bëjnë vetëm sipas parimit ekonomik dhe social, pavarësisht përkatësisë etnike.
Qytetarët e Kosovës, me të drejtë të pakënaqur me këtë paralajmërim të shtrenjtimit të rrymës e që do të përcillet nga ngritja zinxhirore e çmimve të artikjuve tjerë dhe të shërbimeve, nuk duhet të ndalen vetëm me një reagim të çastit në KMDLNj –ë apo te Avokati i Popullit por duhet të organizohen, përmes aktivizmit qytetar në mbrojtje të intertesave të tyre aq më parë që kategoritë e cenueshme; pensionistët, përfituesit e skemave pensionale, veteranët dhe invalidët e luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që nga fillimi i zbatimit për përkrahje financiare, kompensimet apo lëmoshat sociale që i marrin nuk janë rritur aspak në ndërkohë që çmimet kanë shkuar në qiell. Në pamundësi të krijojnë kushte për një jetesë të dinjiteteshme, institucionet e Kosovës nuk po krijojnë kushte as për mbijetesë andaj edhe po kemi migrim aq të madh të popullatës, të rinjve kryesisht sepse të moshuarit dhe të sëmurët nuk i do askush dhe nuk kanë ku të shkojnë! Qytetarët të cilëve me këto shtrenjtime dhe ngrirje të thellë të të ardhurave të tyre, seriotisht po iu rrezikohet mbijetesa duhet të përdorin të gjitha mjetet e lejuara demokratike për të kundërshtuar shtrenjtimin e çmimeve dhe shërbimeve sikur edhe për të kundërshtuar keqpërdorimin e taksave të tyre me të cilat iu paguhet rryma serbëve dhe të tjerëve në veri të Kosovës, që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Problemet me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, pa fajin e tyre dhe në kërkim të një jete më të mirë dhe më të dinjiteteshme është themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet reagimi qytetar, pa dallim në baza etnike, përkëtsisë politike, gjinisë, moshës, besimit apo kultures që i përket. Nëse reagimi qytetar do të jetë vetëm reagim i çastit, reagim i mllefit, institucionet do të vazhdojnë me këto shtrenjtime, në mungesë të një reagimi të vendosur qytetar. Qeveria e Kosovës ka ndarë subvencion për rrymë vetëm për një muaj, kurse shtrjtimi është i përhershëm dhe me tendencë në rritje. KMDLNj e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë shtrejtimin e rrymës i cili prodhon një proces zingjirë të shtrejtimeve dhe pret që qytetarët ta kundërshtojnë edhe me protesta dhe jo vetëm në mënyrë deklarative.
Deputetët, si përfaqësues të popullit nga edhe e kërkojnë votën dhe e fitojnë të drejtën e përfaqësimit, tash për të gjithë qytetarët e Kosovës, duhet ta kundërshtojnë këtë shtrenjtim, qoftë në kuadër të komisioneve përkatëse të Kuvendit ashtu edhe në seancat parlamentare, pa bërë dallime partiake dhe pa u përpjekur ta kapitalizojnë këtë kundërshtim politikisht.
Të drejtat e njeriut nuk nënkuptojnë vetëm mbrojtje nga dhuna fizike, verbale dhe shirtërore por edhe garantimi i kushteve të dinjitetshme për një shkollim cilësor, shërbime shëndetësore profesionale dhe të përballueshme, kushte banimi të përshtatshme por edhe një mundësi për një jetë kualitative përmes sigurimit të një page që siguron këtë jetë sikur edhe sigurimi të një pensioni në përputhje me kontributin e dhënë dhe neveojat shëndetësore dhe të tjera për pensionistët dhe grupet e tjera të cenueshme.