Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut i është gëzuar vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila anuloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji që ua paguante rrymën katër komunave në veri të Kosovës gjatë viteve 2012-2017.
Me anë të një komunikate për media, nga ky këshill bëjnë të ditur se vendimi edhe për kompensim të konsumatorëve të dëmtuar është vetëm hap i parë drejt përligjjes së kësaj të drejte.
“Tash, mbetet që Gjykata e Apelit dhe Supreme të vërtetojnë këtë vendim. Deri atëherë KMDLNj shpreson se nuk do të ketë ndërhyrje politike në vendimmarrje, aq më parë që vet vendimi për kompensim të padrejtë të katër komunave të Veriut të Kosovës ka qenë dhe mbetet një vendim politik/ KMDLNj gjithmonë ka denoncuar fryrjen e faturave të energjisë për konsumatorët e rregullt që e ka cilësuar si vendim diskriminues, pjesërisht edhe racist dhe shkelje e drejtave të njeriut, që e cenon barazinë e të gjithë qytetarëve të garantuar dhe me Kushtetutën e Kosovës. Faturimi diskriminues për rrymën e shpenzuar përbën të gjitha elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare përmes falsifikimit të dokumenteve (faturave ) dhe paraqitjes së pavërtetë të gjendjes. KMDLNj pret që kur të merret vendimi përfundimtar atëherë do të adresohet edhe përgjegjësia penale e shpërdoruesve të pozitës zyrtare”, thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNj-së.