Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi ligjore për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike, duke mos përjashtuar as mundësinë e organizimit të protestave si e drejtë demokratike.
Në një reagim për media, KMDLNJ thotë se qytetarët e Kosovës janë plaçkitur me faturat e fundit (dhjetor 2023) që në jo pak raste janë 400 për qind më të larta se ato të muajit paraprak (nëntor 2023).
KMDLNJ përkujton se ka kërkuar hetime nga Prokuroria e Shtetit dhe që qytetarët të mos i paguajnë faturat e plota, por të ankohen dhe të ngrenë padi në gjykata dhe të kundërshtojnë në mënyrë të organizuar përmes protestave.
KMDLNJ ka folur edhe rreth seancës së sotme plenare ku po debatohet mbi çmimet e larta të energjisë elektrike, duke thënë pozita me çdo kusht po përpiqet ta arsyetojë “këtë hajni të pashembullt që iu bëhet qytetarëve të Kosovës”.
“Në seancën e jashtëzakonshme dolën pohimet se rryma që e blihet me 2 euro e 90 centë ndërsa u faturohet qytetarëve 14 euro e 45 centë, gjë e cila është fakt i mjaftueshëm që të bëhen hetimet e shpejta. Në këtë mes do të gjendej edhe përgjegjësia institucionale. 100 eurot e ndara nga Qeveria kanë qëllim për mbytje të zhurmës ndërsa subvencionimi ka filluar vetëm pasi pati reagime të shumta dhe për t’i shmangur kundërshtimet e organizuara të qytetarëve që janë vjedhur haptas dhe ka dyshime edhe nga segmente të caktuara institucionale”, thuhet në reagim.
KMDLNJ kundërshton keqpërdorimet e pamohueshëm duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi sikur që e ka kundërshtuar diskriminimin e qytetarëve/ konsumatorëve në baza etnike si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.
Në këtë kontekst KMDLNJ ka kundërshtuar takimin me ZRRE-në pasi ky i fundit ka përgjegjësinë kryesore institucionale për situatën e krijuar.