UBT News

KMDLNj jep arsyet pse nuk duhet të votohet marrëveshja për burgje me Danimarkën

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka dhënë argumentet se pse nuk duhet të votohet marrëveshja me Danimarkën, duke thënë se ky shtet të burgosurit i kontrabandon në Kosovë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe miratimi eventual nga vendi ynë i kësaj marrëveshje e vë Kosovën në bankën e të akuzuarve për shkelje të drejtave të njeriut.

Reagim i KMDLNj – së:

PSE NUK DUHET TË VOTOHET TRAKTATI PËR BURGJE ME DANIMARKËN?

1. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë qenë drejt të informuar për përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.

2. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë informuar as për veprat që janë dënuar këta të burgosur e as për shtetin nga e kanë prejardhjen.

3. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë informuar se asnjë i burgosur nuk është danez apo shtetas danez.

4. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë informuar se këta të burgosur do të transferohen dhunshëm dhe kundër vullnetit të tyre në Kosovës.

5. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë të qartë se këta të burgosur janë kryesisht nga shtetet afrikane, aziatike dhe arabe dhe të besimit islam.

6. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë të qartë se këta nuk transferohen në Kosovë shkaku se Kosova i trajton mirë (edhe i trajton mirë sipas standardeve kosovare të dënuarit kosovarë) për faktin se përgjegjësinë për trajtimin e tyre e ka shteti danez por se ata dërgohen në Kosovë sepse Kosovën e konsiderojnë si një shtet islamik i afërt me përcaktimin fetar të burgosurve që do të kontrabandohen nga Danimarka në Kosovë.

7. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë informuar se si do të organizohen vizitat familjare të cilat janë më të shpeshta se në Kosovë. Paramendojeni situatën kur 300 të burgosur në të njëjtën kohë vizitohen nga 1200 familjarë! Do të krijohej një situatë sikur të ishin në Afganistan, Sudan, Siri apo Pakistan. Kufizimi i vizitave do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut.

8. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë informuar se kjo çështje ndërlidhet drejpërdrejtë me sigurinë dhe rrezikon sovranitetin e vendit nga rrymat radikale politike dhe fetare.

9. Deputetët e Kosovës nuk janë informuar si do t’i realizojnë të burgosurit e kontrabanduar nga Danimarka beneficionet që iu takojnë sipas ligjit si vikendet jashtë burgut, pushimet vjetore, realizimi i vizitave humanitare etj.

10. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë informuar se si do të trajtohen në aspektin shëndetësor rastet kur është e nevojshme trajtimi jashtë objektit të burghotelit në Gjilan. Kush do të garantojë për sigurinë e tyre?

11. Deputetët nuk janë informuar se si do të komunikojnë të burgosurit me stafin korrektues (janë kosovarë), si do të informohen në gjuhën e tyre amtare apo në gjuhën që e kuptojnë dhe se kush do të përkujdeset për realizimin e të drejtave fetare që iu takojnë. Mos do të jetë BIK–u, vallë?

12. Deputetët duhet të informohen se me këtë traktat kriminal dhe racist po legalizohet sistemi paralel korrektues dhe në Kosovë do të kemi tre sisteme korrektuese; ai i Kosovës që zbatohet aktualisht, ai i Zajebnicës kur të fitohet autonomia për serbë dhe ai për të burgosurit që do të kontrabandohen nga Danimarka.

13. Deputetët duhet të informohen se me këtë traktat kriminal dhe racist po përligjet ndarja e Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe po përligjet diskriminimi i të burgosurve që vuajnë dënimin në të njëjtin vend – në Kosovë.

14. Deputetët duhet të informohen se përfitimi material prej afërsisht 15 milionë euro brenda viti është i papërfillshëm krahasuar me dëmet afatgjate që i shkaktojnë Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

15. Deputetët duhet të informohen se me këtë përligjje të diskriminimit do të krijohen kushte reale dhe të arsyeshme për rebelim të burgosurve kosovarë që janë nën përkujdesje të Shërbimit korrektues të Kosovës.

KMDLNj që nga dita e parë e ka kundërshtuar këtë marrëveshje dhe në këtë drejtim ka bashkëpunuar me organizatat dhe individë nga Danimarka që e kundërshtojnë këtë marrëveshje në shtetin e tyre. Danimarka këta të burgosur i kontrabandon në Kosovë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe miratimi eventual nga Kosova i kësaj marrëveshje e vë Kosovën në bankën e të akuzuarve për shkelje të drejtave të njeriut. Para se të hedhet në votim është dashur të kërkohet mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nëse është në përputhje me të drejtat e njeriut. Sponsorisuesi i këtij trakati është i udhëhequr nga interesi politik dhe as që i intereson për dëmet që ia bën Kosovës. Tërë kohën e ka mashtruar edhe opinionin si dhe deputetët prandaj ka heshtje dhe mosreagim të opinionit.

Prandaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës, mos e votoni këtë traktat të dëmshëm, racist dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Refuzoni të votoni traktat kundër intereseve të Kosovës sepse, po të ishte diçka e mirë, as që do t’i vinte rendi Kosovës për këtë. Kosovën duan ta shndërrojnë në deponi për mbetje njerëzore të njerëzve të pafatë dhe mos u bëni pjesë e këtij krimi.

Exit mobile version