Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka ngritur shqetësimin për sigurinë e punëtorëve në Kosovë, duke thënë se mungesa e masave mbrojtëse dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme institucionale po vazhdojnë të shkaktojnë aksidente me pasoja fatale.
Sipas KMDLNj-së, gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë humbur jetën 32 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.
Organizata thekson se edhe gjatë vitit 2026 situata mbetet shqetësuese, ndërsa si shkaqe kryesore të aksidenteve përmend mungesën e pajisjeve mbrojtëse, kushtet e pafavorshme atmosferike, mungesën e kualifikimit profesional, si dhe mbikëqyrjen e dobët nga institucionet përgjegjëse.
KMDLNj ka ngritur shqetësimin edhe për numrin e madh të punëtorëve që vazhdojnë të punojnë pa kontrata, duke ua vështirësuar realizimin e të drejtave të tyre në rast aksidenti apo humbjeje të jetës.
Këshilli ka kërkuar shtim të inspektimeve në terren dhe ka propozuar që gjobat ndaj punëdhënësve që shkelin rregullat e sigurisë të përdoren për krijimin e një fondi për mbështetjen e familjeve të viktimave dhe punëtorëve me pasoja të përhershme shëndetësore.
Sipas KMDLNj-së, gjendja ekonomike shpesh i detyron punëtorët të pranojnë kushte të pasigurta pune, ndërsa institucionet duhet të marrin masa më të fuqishme për garantimin e sigurisë në vendet e punës./A.K/
