Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi thotë se në takimin me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, ata vetëm janë njoftuar e nuk janë konsultuar për vendimin e mbylljes për 12 ditë për gastronomët.
“Sot zhvilluam një takim me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rrozeta Hajdari dhe Ministrin e Financave, Hekuran Murati. Përkundër faktit që ne ishim të ftuar për konsultim, ne nuk u konsultuam, por u informuam për vendimin e mbylljes së Gastronomisë, Qendrave tregtare, GYM-ave dhe Shkollave, nga data 6 deri me datën 18 të këtij muaji”, ka shkruar Kllokoqi.
Kllokoqi e quan arbitrar dhe të njëanshëm vendimin për mbylljen totale të gastronomëve për 12 ditë. Ai thekson se ky vendim është i papranueshëm për gastronomët dhe e kundërshtojnë fuqishëm këtë vendim.
“Ky vendim është vendim arbitrar, i njëanshëm, dhe jo i pranueshëm për Gastronominë e Kosovës e cila çdo ditë e më shumë po rrëzohet për toke. Ne kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë edhe më tutje çdo vendim që merret njëanshëm pa konsultim”, ka shkruar Kllokoqi.
Ai ka njoftuar se të hënën do të mbahet Kuvendi i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ku siç tha Kllokoti, do të vendosin bashkërisht për hapat e mëtutjeshëm.