Në Klinikën e Pulmologjisë nuk ka raste të rënda të infektuar me COVID-19. Në një prononcim për Ekonomia Online, pulmologu Skender Bacaj ka thënë se personat të cilët identifikohen me virusin Covid-19, pas 24 orëve dërgohen në Klinikë Infektive.
Madje, ai tha se nëse rritet fluksi i madh i njerëzve për shkak të virusit, i transferojnë në mjekësinë sportive.
Sipas, doktor Bacajt me ndarjen e mbi 1 mijë specializimeve këtë vit Klinika e Pulmologjisë ka staf të mjaftueshëm.
“Numri i rasteve është në rritje e sipër. Këtu e kemi një përgjegjësi të madhe ne vet për shkak se mbledhjeve masive që nuk kanë pasur kujdes shumë edhe ata që kanë ardhur pozitiv nga jashtë edhe këta këtu që kanë qenë pozitiv nuk janë identifikuar, kështu që e kanë përhapur në tubime posaçërisht në dasma. Fatmirësisht raste të rënda nuk kemi. Edhe rastet që janë në oksigjenoterapi janë duke u stabilizuar dhe mbi 22 raste janë me Covid. Ata që dalin pozitiv ne i transferojmë në Klinikë Infektive. Variant Delta është shumë më i lehtë sesa format burimore që ka qenë vitin e kaluar mirëpo ne llogarisim në numrin e madh të përhapjes apo të variantit Delta. Kurse hezitimi për vaksinim buron nga dezinformata shumë të mëdha. Ne nuk kemi arsye që mos ta marrim vaksinën kundër Covidit. Kur të mbushemi me pacientë kalojmë në mjekësinë sportivë. QKUK-ja ka kapacitetet të mjaftueshme për ta menaxhuar situatën me Covid. Edhe sa i përket oksigjenit nuk do të ketë problem. Me ndarjen e mbi 1000 specializimeve këtë vit ne jemi shumë mirë dhe kemi staf të mjaftueshëm”, tha Bacaj.