Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në mungesë të provave po vazhdon me arrestime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, thotë se udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku.
Mëngjesin e së enjtes, EULEX-i ka kryer disa arrestime në Kosovë për të cilat Prokuroria e Specializuar e Hagës ka thënë se kanë të bëjnë me vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Klinaku i hedh poshtë këto duke thënë se ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk bëjnë pengim të drejtësisë.
Ai nuk e përjashton mundësinë që të ketë më shumë arrestime.
“Mendojnë të krijojnë edhe spektakël për t’i marrë edhe disa të tjerë gjoja se po e pengojnë drejtësinë për shkak se ata prova të tjera nuk kanë pasur dhe mundohen që të nxjerrin prova, sepse njerëzve që edhe sot i kanë arrestuar edhe kohë më parë disa prej tyre ua patën konfiskuar edhe telefonat gjoja se po nxjerrin diçka prej telefonave të tyre. Domethënë krejt këto janë spektakël derisa nuk kanë fakte për t’i gjykuar të tjerët, mundohen që të krijojnë fakte që faktikisht në drejtësi nuk do të duhej të ishin fakte këto sepse edhe lufta jonë ka pasur çlirimin nga pushtuesi, por edhe pengimin e drejtësisë nuk është e vërtetë që e bëjnë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pengimin e drejtësisë e ka bërë vetë vazhdimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar duke i kërcënuar e shantazhuar dëshmitarët e saj”, thotë ai.
Klinaku thotë se arrestimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së po ndodhin me qëllim që “t’i vazhdohet mandati kësaj gjykate”.
“Zvarritjet këta i kanë bërë vazhdimisht, zvarritjet i bëjnë edhe me arrestimet e tjera gjoja për të hetuar tash raste për ta zgjatur mandatin vetës, sepse qëllim kryesor e kanë sepse kanë paga të majme dhe atyre natyrisht që u intereson që kjo gjykatë apo ky proces gjyqësor edhe ndaj këtyre që janë sot, por edhe ndaj të tjerëve të vazhdojë edhe me vite e vite sepse qëllimin kryesor e kanë paga të majme dhe përderisa financohet nga taksapaguesit e Evropës…këtu nuk është duke u hetuar asnjë krim i luftës, sepse po të ishin hetuar natyrisht që kjo gjykatë do të duhej merrej me ata që kanë bërë krime lufte në Kosovë e që janë serbët”, thotë Klinaku.
Sipas Klinakut, çdo ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “është i rrezikuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”.
“Qysh po vazhdojnë këta me spektakël, prej tyre mund të pritet gjithçka, natyrisht që këtu është i rrezikuar secili pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo ZPS-së“, tha ai.
Specialja ka arrestuar të enjten ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj. Gjithashtu është arrestuar ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu. Ndërkaq, është raportuar edhe për arrestimin e Bashkim Smakajt.
Është raportuar për bastisje edhe në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Më vonë të enjten, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se po kryen operacione sot në Kosovë.
Sipas ZPS-së, procesi hetimor përqendrohet në vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Përmes një njoftimi të lëshuar në faqen zyrtare, ZPS ka thënë se operacionet janë autorizuar nga ana gjyqësore e Dhomave të Specializuara dhe janë mbështetur nga EULEX-i.