Dy fëmijët e Silvio Berlusconit, ish-kryeministrit italian, Marina dhe Pier Silvio, po planifikojnë rikthimin e partisë Forza Italia në politikën italiane. Ky zhvillim vjen pas vdekjes së Berlusconit vitin e kaluar në moshën 86-vjeçare, pas një karriere të gjatë si lider i qeverisë italiane dhe themelues i partisë së njohur.
Sipas raportimeve të Bloomberg, që nga fundi i korrikut, fëmijët e Berlusconit janë takuar me këshilltarët e tyre politikë, përfshirë strategun e babait të tyre, Gianni Letta, dhe ish-presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, aktualisht ministër i Jashtëm. Takimet kanë për qëllim diskutimin e ideve për rikthimin e Forza Italias dhe sfidimin e partisë aktuale në pushtet, Vëllezërit e Italisë, të udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni.
Marina, 58 vjeçe, drejton kompaninë e familjes, Fininvest SpA, ndërsa vëllai i saj Pier Silvio, 55 vjeç, është në krye të MediaForEurope. Ata duket se po përpiqen të largohen nga bota e korporatave dhe të rinovojnë Forza Italian, duke e pozicionuar atë si një alternativë të fortë ndaj qeverisë aktuale.
Sipas raportit, fëmijët e Berlusconit po përpiqen të ndikojnë edhe në politikën qeveritare, sidomos në përpjekjet për të penguar vendosjen e taksave të reja mbi fitimet bankare. Giovanni Orsina, kreu i departamentit të politikës në Universitetin LUISS në Romë, thekson se fëmijët mund të jenë të gatshëm të “marrin kontrollin” nëse qeveria Meloni përballet me një krizë.
Ky rikthim politik erdhi në një kohë kur partia e Melonit po përballet me tensione brenda koalicionit të saj dhe përplasje me Brukselin për politikën buxhetore. Klani Berlusconi po shfrytëzon këtë situatë për të mobilizuar mbështetje dhe për të ushtruar presion mbi ekipin e Melonit, duke krijuar mundësi për një rikthim të mundshëm në pushtet./UBTNews/