Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar, janë takuar dje në Bujanoc me ministren për të Drejtat e Njeriut, Minoritetet dhe Dialogun Social pranë Qeverisë së Serbisë, Gordana Comiq. KKSH kanë kërkuar nga Çomiq zbatimin e “Planit 7 pikësh“, të miratuar nga Qeveria në vitin 2013.
Kryetari i KKSH-së, Ragmi Mustafi përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se në prani të OSBE-së dhe Trupit Koordinues ka kërkuar nga Çomiq trajtimin e përfshirjes së plotë të shqiptarëve në institucionet publike e republikane.
“Në prani të përfaqësuesve të OSBE-së dhe Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kërkova të trajtohen përfshirja e plotë e shqiptarëve në institucionet publike e republikane; Revitalizimin ekonomik; Realizimin e të drejtës në përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit; Ndërprerjen e përndjekjes së ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar; Decentralizimin në gjyqësi me Gjykatën themelore dhe kundërvajtjeje së bashku me prokurorit përkatëse në Preshevë dhe Bujanoc; Institucionet e ligjzbatimit sipas kompozicionit etnik të strukturës së popullsisë për arritjen e sigurisë së plotë në rajon; Arsim (kompletimi i teksteve mësimore për filloristët dhe fillimi për gjimnazistët, çështja e diplomave, trajnimi dhe licencimi i mësimdhënësve), kulturë (absorbimi i fondeve publike dhe krijimi i përmbajtjeve për promovim identitetit kulturor) dhe informim (përmes transmetuesit publik dhe mundësimin e absorbimit të fondeve nga mediat e Luginës); vizion në shëndetësi dhe masa në sigurim social; janë urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, ka shkruar Mustafi.
Ai gjithashtu nga ministrja Çomiq ka kërkuar edhe ndalimin e pasivizimit të vendbanimeve të shqiptarëve, por edhe rikuperimin e tyre. Është përmendur edhe regjistrimi i popullsisë, i cili pritet të zhvillohet në tetorin e vitit të ardhshëm, e Mustafi e sheh si një sfidë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Të pranuarit e ekzistimit problemeve dhe diskriminimit edhe mund të nxit ndërmjetësimin e znj. Çomiq për krijimin e hapësirës së nevojshme për implementimin e masave të domosdoshme e urgjente. Edhe pse prezenca në kabinet qeveritar të ministrit z. Vulin me qëndrimet raciste e ksenofobe, tregon për mungesën e kapaciteteve demokratike. Megjithatë, dialogu tashmë për tetë vite është bllokuar nga Qeveria e Serbisë me përfaqësuesit politik e institucional të shqiptarëve të Luginës. Në këtë mënyrë ka refuzuar të përmbush obligimet nga “Plani 7 pikësh””.
Për fund Mustafi ka kërkuar të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe më shumë barazi e drejtësi.
“Dialog për të drejtat individuale dhe kolektive, të drejta për barazi e drejtësi, barazi për më shumë liri, liri për autonomi e status special”, ka përfunduar ai./UBTNews
(Driton Hyseni, student në Media dhe Komunikim në UBT)