Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku u diskutua për domosdoshmërinë e avancimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Kallas ka bërë të qartë se progresi në dialog dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah, duke nënvizuar se marrëveshjet e arritura mbeten të detyrueshme për të dyja palët.
“Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë të detyrueshme. Zbatimi i tyre nuk është një favor për Brukselin, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale”, ka shkruar Kallas në rrjetin social X.
Diplomatja e lartë evropiane shtoi se ndonëse BE-ja do të mbetet një ndërmjetësues i paanshëm, përgjegjësia kryesore u mbetet udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd.
“Ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha për të ecur përpara”, nënvizoi ajo.
Nga ana tjetër, kryeministri Kurti më herët njoftoi për takimin me përfaqësuesen e BE-së, por pa përmendur se në fokus të diskutimit ishte procesi i dialogut me Serbinë. /E.A/
