Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës që njihet ndryshe edhe si Kalorësit e Maltës – nuk është vetëm një rend fetar katolik me gati 1 mijë vjet histori. As nuk është thjesht një organizatë humanitre me buxhet shumë milionë dollarësh, që u del në ndihmë kampeve të refugjatëve dhe ofron ndihma në raste fatkeqësish në rreth 120 vende anembanë botës.
Është komb sovran, me statusin e vëzhguesit të Kombeve të Bashkuara dhe kushtetutën e tij, por në mënyrë të pazakontë, pa asnjë tokë. Ky komb lëshon targa makinash – pa pasur rrugë për t’i vozitur ato – si dhe vula, monedha e pasaporta.
Kalorësit filluan si një urdhër kalorësiak në Jerusalem rreth vitit 1099 dhe iu dha arkipelagu maltez në vitin 1530 nga Mbreti i Spanjës. Napoleon Bonaparta i detyroi Kalorësit të largoheshin nga Malta gjatë pushtimit francez të vitit 1798, dhe këto ditë Urdhri ka selinë në Romë. Daniel de Petri Testaferrata, presidenti i Urdhrit me bazë në Maltë tha se rreth 100 nga 13 mijë kalorës, dama dhe kapelanë të shpërndarë tani në mbarë globin jetojnë në arkipelagun maltez.
Pasaportat e para u lëshuan nga Urdhri i Maltës në vitet 1300 kur diplomatët e saj udhëtuan në shtete të tjera me dokumente që vërtetonin rolin e tyre si ambasadorë. Pas Luftës së Dytë Botërore, përdorimi i pasaportës diplomatike mori karakteristika të pasaportave të përdorura në vende të tjera. Sot, janë vetëm rreth 500 pasaporta diplomatike në qarkullim – duke e bërë atë pasaportën më të rrallë në botë.
Pasaporta e kuqe e Urdhrit (ndoshta një shenjë për gjakun e Krishtit) është e rezervuar për anëtarët e Këshillit Sovran dhe drejtuesit e misioneve diplomatike dhe familjet e tyre. Është zbukuruar me shkronja ari që tregon emrin e organizatës në frëngjisht, “Ordre Souverain Militaire de Malte” dhe një stemë./UBTNews/