Vetëm për një muaj e gjysmë, nga 600 lajme që janë publikuar në mediat ruse për Kosovën, 116 prej tyre kanë pasur përmbajtje me dezinformata.
Kështu u tha me rastin e publikimit të raportit tre mujor “Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 15 gusht – 1 tetor, 2021” nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).
Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci në një konferencë për media tha se raporti konkludon se një moment i rëndësishëm për intensifikimin e bashkëpunimit ruso-serb kundër shtetësisë të Kosovës dhe stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor mund të ketë ndodhur në fund të muajit nëntor.
Ai tha se përplasjet e fundit midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ato midis Prishtinës dhe Moskës, të shoqëruara me mungesën e progresit në dialogun e ndihmuar nga Brukseli midis Kosovës dhe Serbisë, e kanë krijuar një tokë të plleshme për intensifikimin e mëtutjeshëm të luftës diplomatike të Rusisë kundër Kosovës.
“Në këtë kohë kanë qenë të botuara diku rreth 600 lajme për Kosovë nga këto media. Pra, nga 589 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën 116 prej tyre kanë pasur përmbajtje me dezinformata, pra 19.4 përqind e tyre. Numri më i madh i dezinformatave është i botuar nga Sputnik Serbia 77, pasuar nga TASS 12, Russia Today 8, Russian Insider 6, Sputnik International 5, UNZ 4, Neësfront 4, The Duran 2 dhe Pravda Report 2. Këto dezinformata i kemi grupuar në katër kategori, e para është rrënimi i themeleve të legalitetit të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës ku kanë qenë 48 sosh, ndryshimi i narrativeve të luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi 8, rrënimin e kredibilitetit të angazhimit perëndimor në shtet-ndërtimin në Kosovë dhe në dialogun Prishtinë-Beograd 28, dhe paraqitja e komunitetit serb dhe e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë si të shtypura dhe të kërcënuara 32”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket analizimit të deklaratave, të konferencave për shtyp të establishmentit të politikës së jashtme ruse, Peci tha se tregojnë qartë vazhdimin e synimit të narrativave për t’i rrënuar themelet e shtetësisë së Kosovës.
“Shohim që narrativat e tyre janë kryesisht të orientuara në rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe të angazhimit perëndimor në Kosovë dhe në rajon, janë duke i akuzuar pa të drejtë autoritetet kosovare për ushtrim të dhunës ndaj komunitetit serb, janë duke i mohuar të drejtën autoriteteve tona për të luftuar krimin e organizuar në tërë territorin e vendit. Në këtë rast dua të theksoj që aktivitetet publike të establishmentit të politikës së jashtme ruse kundër Kosovës gjatë kësaj periudhe janë intensifikuar nga gjysma e dytë e shtatorit, me fillimin e krizës afatshkurtër në pjesën veriore të Kosovës dhe me dëbimin e dy diplomatëve rus të Ambasadës së Rusisë në Prishtinë, këtu kemi eskalim të përplasjeve”, tha ai.
Ky raport nga KIPRED është për periudhën 15 gusht deri më 1 tetor 2021.