Një seri filmash shumë të pritur pritet të mbërrijnë gjatë këtij muaji në kinema dhe në platformat online, duke sjellë rikthime ikonike dhe histori të reja nga Hollywood-i.
Ndër titujt më të spikatur veçohet “Animal Farm”, adaptimi më i ri i veprës së George Orwell, i realizuar këtë herë në formë animacioni me tone më satirike dhe me një kast të njohur aktorësh, përfshirë Seth Rogen, Glenn Close dhe Woody Harrelson, shkruan BBC, përcjell KultPlus. Një tjetër rikthim i madh është “The Devil Wears Prada 2”, ku Meryl Streep dhe Anne Hathaway rikthehen në rolet e tyre ikonike në botën e modës, dy dekada pas publikimit të filmit të parë.
Në universin e “Star Wars” vjen edhe filmi i ri “The Mandalorian and Grogu”, me Pedro Pascal dhe personazhin e dashur Baby Yoda, duke sjellë për herë të parë këtë histori në ekranin e madh që nga viti 2019. Mes premierave të tjera përfshihen komedia familjare “The Sheep Detectives”, drama muzikore “Two Pianos”, si dhe “Remarkably Bright Creatures”, një histori emocionale e rrëfyer nga perspektiva e një oktapodi.
Po ashtu, pritet edhe publikimi i filmit koncertal në 3D i Billie Eilish, i bashkëdrejtuar nga James Cameron, si dhe filmi horror “Backrooms”, i bazuar në fenomenin viral të internetit. Në listë përfshihen gjithashtu produksioni i ri i Boots Riley, “I Love Boosters”, si dhe drama “The Salt Path”, e cila ka nxitur debat që pas publikimit.
Ky muaj sjell një përzierje të pasur zhanresh, nga fantashkenca dhe animacioni, deri te drama dhe satira politike, duke premtuar një sezon të ngjeshur për adhuruesit e filmit.
