UBT News

Kinë: Pse kjo gjeneratë e të rinjve nuk dëshiron të ketë fëmijë?

Një regjistrim i popullsisë ka treguar se lindjet në Kinë kanë rënë në nivelin më të ulët që nga vitet 1960 – duke bërë thirrje për t’i dhënë fund politikave të kontrollit të lindjeve. Por disa në Kinë thonë se këto politika nuk janë e vetmja gjë që i ndalon ato.

Shumë prej tyre nuk planifikojnë të kenë fëmijë së shpejti, pasi që dëshirojnë të jetojnë jetën e tyre pa shqetësimet e vazhdueshme për të rritur një fëmijë.

“Unë kam shumë pak bashkëmoshatarë që kanë fëmijë, dhe prej atyre që kanë fëmijë, janë të fiksuar rreth përzgjedhjes së dados më të mirë ose regjistrimit të fëmijëve në shkollat ​​më të mira. Duket lodhëse”, u shpreh një e sapomartuar, kur u pyet rreth kësaj.

Të dhënat shqetësuese

Regjistrimi i Kinës, i lëshuar në fillim të këtij muaji, tregoi se rreth 12 milionë foshnje kanë lindur vitin e kaluar – një rënie e konsiderueshme nga 18 milionë në vitin 2016, dhe numri më i ulët i lindjeve të regjistruara nga vitet 1960.

Popullsia në tkurrje është problematike për shkak të strukturës së përmbysur të moshës, me më shumë njerëz të moshuar sesa të rinj. Kur kjo të ndodhë, nuk do të ketë mjaft punëtorë në të ardhmen për të mbështetur të moshuarit dhe mund të ketë një kërkesë të shtuar për kujdes shëndetësor dhe social.

Çekuilibri i rëndë gjinor

Ekspertët thonë se situata e Kinës mund të përkeqësohet duke pasur parasysh numrin e burrave që e kanë të vështirë të gjejnë një grua në radhë të parë, e lëre më të krijojnë një familje. Mbi të gjitha, ekziston një çekuilibër i rëndë gjinor në vend – vitin e kaluar, kishte 34.9 milionë më shumë meshkuj sesa femra.

Kjo është pasojë e politikës së rreptë të vendit për të lindur vetëm një fëmijë që u prezantua në vitin 1979 për të ngadalësuar rritjen e popullsisë.

Në një kulturë që historikisht favorizon djemtë mbi vajzat, politika çoi në aborte të detyruara dhe një raport të tepërt të djemve të sapolindur nga vitet 1980 e këtej.

“Kjo paraqet probleme për tregun e martesave, veçanërisht për burrat me më pak burime socio-ekonomike”, tha Dr Mu Zheng, nga departamenti i sociologjisë i Universitetit të Singaporit.

Ekspertët thonë se kjo është gjithashtu sepse zbutja e politikës nuk erdhi me ndryshime që mbështesin jetën familjare – të tilla si mbështetja monetare për arsimimin ose qasjen në objektet e kujdesit për fëmijët. Shumë njerëz thjesht nuk kanë mundësi të rrisin për shkak të kostos së jetesës, thonë ata.

“Mosdashja e njerëzve për të pasur fëmijë nuk qëndron në procesin e lindjes së fëmijëve, por ajo që vjen pas”, tha Dr Mu.

Ajo shtoi se nocioni i asaj që e bën një person të suksesshëm ka ndryshuar edhe në Kinë – të paktën për ata që jetojnë në qytete të mëdha. Nuk përcaktohet më nga shënjuesit tradicionalë në jetë siç është martesa dhe lindja e fëmijëve – përkundrazi, kjo ka të bëjë me rritjen personale.

“Frika mund të ndikojë që gratë të mos kenë dëshirë të kenë fëmijë sepse mendojnë se kjo mund të zvogëlojë perspektivat e tyre të karrierës”, tha Dr. Mu.

Në mediat sociale kineze, kjo është një temë e ‘nxehtë’, hashtag-u “Pse kjo gjeneratë e të rinjve nuk dëshiron të ketë fëmijë?” është lexuar më shumë se 440 milionë herë në platformën e mikroblogjeve Weibo.

“Realiteti është se nuk ka shumë punë të mira për gratë, dhe gratë që kanë punë të mira do të të bëjnë gjithçka që duhet për t’i mbajtur ato. Kush do të guxonte të kishte fëmijë në këtë situatë?”, u shpreh një person./UBTNews

(Arjeta Ibishi, Media dhe Komunikim)

Exit mobile version