Kina nuk do të ndërtojë termocentrale me qymyr jashtë vendit, një lëvizje që mund të jetë thelbësore në trajtimin e emetimeve globale. Kështu deklaroi presidenti kinez, Xi Jinping, gjatë adresimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kina ka financuar projekte të thëngjillit në vende si Indonezia dhe Vietnami. Por ka qenë nën presion për t’i dhënë fund financimit, pasi bota po përpiqet të përmbushë objektivat e marrëveshjes së Parisit për klimën.
Xi Jinping theksoi nevojën për të përshpejtuar kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe me karbon të ulët dhe për të arritur rimëkëmbjen dhe zhvillimin e gjelbër.
“Kina do të rrisë mbështetjen për vendet e tjera në kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe me karbon të ulët, dhe nuk do të ndërtojë projekte të reja të energjisë me qymyr jashtë vendit”, tha Xi në samitin vjetor.
Nuk u dhanë detaje tjera në lidhje me këtë iniciativë./UBTNews