Kina ka dënuar vrasjen e shtatë personave që punojnë për organizatën joqeveritare World Central Kitchen në Gaza. Punëtorët e ndihmës u vranë si pasojë e një sulmi ajror izraelit.
“Kina kundërshton të gjitha aktet që dëmtojnë civilët, dëmtojnë objektet civile dhe shkelin ligjin ndërkombëtar”, tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.
Kina u trondit nga sulmi, shtoi ai. Ai tha se civilët “nuk duhet të jenë në shënjestër dhe siguria e punonjësve të ndihmës humanitare ndërkombëtare nuk duhet të kërcënohet”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve, “veçanërisht Izraelit”, të “përmbushin detyrimet e tyre sipas Kartës së OKB-së, të pushojnë menjëherë zjarrin … dhe të bëjnë çdo përpjekje për të mbrojtur civilët, spitalet dhe objektet e tjera civile të mbrojtura posaçërisht nga Konventat e Gjenevës”.
Të vrarët përfshijnë një shtetas të dyfishtë SHBA-Kanada, si dhe njerëz nga Australia, Polonia, Mbretëria e Bashkuar dhe një palestinez, sipas organizatës jofitimprurëse.
Forcat e Mbrojtjes izraelite thanë se po kryenin një rishikim të plotë të incidentit./UBTNews/