Pekini po shqyrton qasjet e ndryshme të administratës Trump për tejkalimin e kontesteve tregtare, ka bërë të ditur të enjten Ministria kineze e Tregtisë.
Megjithatë, në një deklaratë për shtyp, ministria ka theksuar se tarifat e njëanshme prej 145 për qind mbeten një pengesë që minon mirëbesimin.
Deklarata përsërit qëndrimin e Kinës se është e hapur për bisedime, por edhe vendosmërinë e saj për të luftuar nëse është e nevojshme.
“Tarifat ishin një lëvizje e njëanshme e Shteteve të Bashkuara dhe nëse Shtetet e Bashkuara duan të flasin, atëherë duhet ta bëjnë këtë me sinqeritet dhe të jenë të gatshme të korrigjojnë praktikat e tyre të gabuara”, thuhet në deklaratë.
Sipas dokumentit, qeveria në Pekin ka marrë në konsideratë deklarata të bëra nga zyrtarë të ndryshëm amerikanë që tregonin vullnetin për të negociuar mbi tarifat.
Por Kina nuk do t’i shqyrtojë ato më tej nëse vetë presidenti Trump nuk del me një qasje të sinqertë.
“Të thuash diçka por të bësh diçka tjetër, ose të kryesh shantazhe nën petkun e bisedimeve nuk do të funksionojë me Kinën”, thotë më tej deklarata.
Pekini i është përgjigjur tarifave të Trump me masa reciproke deri në 125 për qind. Gjithashtu, vendi aziatik ka ashpërsuar kufizimet e eksporteve në Shtetet e Bashkuara të mineraleve me rëndësi strategjike dhe ka ndalur importin e një seri produktesh amerikane.