UBT News

Kina sanksionon Pelosin për vizitën në Tajvan

Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi të premten sanksione kundër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, pasi vizita e saj në Tajvan këtë javë shkaktoi zemërim dhe shfaqje të forcës ushtarake nga Pekini.

Ministria tha se Pelosi “po ndërhynte seriozisht në punët e brendshme të Kinës dhe po minonte seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës” me vizitën dhe se Kina do të “impononte sanksione ndaj Pelosit dhe familjes së saj të ngushtë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kina ka njoftuar sanksione ndaj një numri zyrtarësh amerikanë në vitet e fundit për veprim kundër asaj që i sheh si interesat e saj thelbësore dhe për të folur për çështjet e të drejtave të njeriut në Hong Kong dhe rajonin veriperëndimor të Xinjiang, shpesh pa specifikuar masa ndëshkuese.

Në mars të këtij viti, Pekini tha se po vendoste kufizime vizash për një listë të pazbuluar zyrtarësh të Shteteve të Bashkuara, të cilët dyshohet se kishin “shpirë gënjeshtra mbi çështjet e të drejtave të njeriut që përfshijnë Kinën”.

Ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, si dhe Peter Navarro, një këshilltar tregtar i ish-presidentit Donald Trump, ishin në mesin e atyre që u goditën nga valët e mëparshme të sanksioneve dhe u ndalohet të hyjnë në Kinë, si dhe të bëjnë biznes me subjektet kineze.

Partia Komuniste në pushtet e Pekinit e sheh Tajvanin e vetëqeverisur dhe demokratik si pjesë të territorit të saj dhe është zotuar se një ditë do ta marrë atë, me forcë nëse është e nevojshme.

Qeveria kineze ka reaguar me kërcënime bombastike dhe stërvitje ushtarake përpara dhe pas vizitës së Pelosit, të cilën e sheh si një përshkallëzim të papranueshëm të lidhjeve midis Uashingtonit dhe liderëve aktualë pro-pavarësisë së Tajvanit. /UBTNews/

Exit mobile version