Kina, Rusia dhe përfaqësues nga qeveria iraniane do të takohen të premten në kryeqytetin kinez për diskutime në kuadër të tensioneve rreth programit bërthamor të Iranit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning deklaroi sot se bisedimet në Pekin do të trajtonin çështjen bërthamore iraniane dhe tema me interes të përbashkët.
“Diskutimet do të zhvillohen në nivelin e zëvendësministrit të Jashtëm”, tha ajo.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi konfirmoi takimin për gazetarët.
Kohët e fundit, mosmarrëveshja mbi programin bërthamor të Iranit është përshkallëzuar sërish me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë mandatit të tij të parë, presidenti Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e Vjenës në vitin 2018, e cila synonte të kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Më pas, Teherani gjithashtu ndaloi respektimin e përcaktimeve të marrëveshjes.
Qeveria e Iranit po mbështetet gjithnjë e më shumë në mbështetjen e Rusisë dhe Kinës – mes mosmarrëveshjeve të saj me Perëndimin./ATSH