Kina ka njoftuar një rritje prej 7,2% të buxhetit të saj për mbrojtjen në vitin 2025, duke e çuar atë në 1,78 trilionë juanë (rreth 245 miliardë dollarë), sipas projektbuxhetit të paraqitur në Kongresin Kombëtar të Popullit. Ky është viti i dytë radhazi që Kina rrit shpenzimet për ushtrinë me të njëjtën përqindje. Kina tani ka buxhetin e dytë më të madh të mbrojtjes në botë pas Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Xi Jinping ka theksuar nevojën për modernizimin e ushtrisë kineze dhe ka synuar krijimin e një ushtrie “të klasit botëror” deri në vitin 2049. Rritja e buxhetit për mbrojtjen vjen pas tensioneve me Tajvanin dhe pretendimeve territoriale të Kinës mbi Detin e Kinës Jugore, me Pekinin që ka intensifikuar presionin ushtarak ndaj Tajvanit dhe ka realizuar manovra të reja detare në rajon.
Gjithashtu, Kina ka vendosur objektivin për një rritje ekonomike prej 5% për këtë vit, për të tretin vit radhazi, një qëllim ambicioz në kushtet e tensioneve me partnerët tregtarë dhe uljes së konsumit brenda vendit. Kongresi Kombëtar i Popullit, që ka nisur këtë javë, do të zgjasë shtatë ditë, me diskutime të mëtejshme për tema të ndryshme, përfshirë diplomacinë kineze dhe politikat ekonomike./UBTNews/