Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka reaguar ndaj akuzave të NATO-s se Pekini po ndihmon Rusinë në konfliktin e saj me Ukrainën. Ai e ka quajtur këto akuza të pabaza dhe ka paralajmëruar aleancën perëndimore kundër nxitjes së konfrontimit.
Komentet e Wang erdhën pasi liderët e NATO-s në Uashington DC akuzuan Kinën për të qenë një ndihmëse e rëndësishme e Rusisë nëpërmjet mbështetjes së saj në industri të mbrojtjes. Ata kërkuan nga Kina të ndalojë mbështetjen materiale dhe politike për Rusinë, përfshirë furnizimin me materiale të përdorimit të dyfishtë.
Shtetet perëndimore gjithashtu kanë akuzuar Kinën për transferimin e teknologjisë së dronëve dhe raketave dhe për aktivitete kibernetike dhe hibride keqdashëse në favor të Moskës. SHBA ka theksuar se shumica e veglave të makinerive dhe mikroelektronikës që importon Rusia vijnë nga Kina.
Në reagimin e tij, Wang Yi ka pohuar se Kina nuk pranon akuzat dhe ka insistuar se ajo është një forcë për paqen dhe stabilitetin. Ai gjithashtu ka bërë thirrje që sistemi dhe vlerat politike të Kinës të mos përdoren si arsye për NATO-n për të nxitur konfrontim ndaj saj.
Pekini ka kundërshtuar gjithashtu akuzat se po ndihmon Rusinë në luftë dhe ka propozuar një plan paqeje për të çuar në fund konfliktin në Ukrainë, propozim që Ukraina ka refuzuar. Megjithatë, vëzhguesit kanë vlerësuar se blerjet e sasive të mëdha të naftës dhe gazit nga Kina kanë ndihmuar në mbështetjen e ekonomisë ruse nën sanksione./UBTNews/