Kina këmbëngul se nuk u kërkon kompanive të dorëzojnë të dhënat e mbledhura jashtë shtetit, pasi TikTok-u përballet me thirrje në rritje për një ndalim në ShBA.
Presioni po rritet mbi platformën për të marrë pronësi të re ose për të humbur aksesin në tregun e madh amerikan.
Në një seancë pesë-orëshe me ligjvënësit amerikanë, shefi i TikTok, Shou Zi Chew u përball me pyetje të rënda nga ligjvënësit amerikanë mbi lidhjet e aplikacionit me Kinën dhe rrezikun e tij për adoleshentët.
Në themel të frikës, është një ligj kinez i vitit 2017 që kërkon që firmat vendase t’i dorëzojnë të dhënat personale shtetit nëse janë të rëndësishme për sigurinë kombëtare.
Pekini mohoi të premten se do t’u kërkonte firmave kineze të dorëzonin të dhënat e mbledhura jashtë shtetit dhe pretendoi se “i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së privatësisë së të dhënave”.
Kina “asnjëherë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë nga kompanitë ose individët të mbledhin ose ofrojnë të dhëna të vendosura në një vend të huaj”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Mao Ning në një konferencë të rregullt.
“Qeveria amerikane deri më tani nuk ka ofruar asnjë provë që TikTok përbën një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare”, shtoi Mao./UBTNews/