UBT News

Kina premton 791,000 dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa Franca strehim për 10,000 refugjatët e parë

Kryqi i Kuq i Kinës do të sigurojë 5 milionë juanë (ose rreth 791,000 dollarë) ndihmë humanitare për Ukrainën, tha Ministria e Jashtme e Kinës në një konferencë, duke shtuar se grupi i parë i ndihmës u largua nga Pekini sot, përcjell UBT News.

Ndihma, e cila përfshin ushqimin dhe nevojat e përditshme, vjen me kërkesë të Ukrainës dhe do t’i dorëzohet Kryqit të Kuq të Ukrainës “sa më shpejt të jetë e mundur”, tha të mërkurën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian.

Kjo vjen ndonëse Pekini ka refuzuar vazhdimisht ta quajë luftën në Ukrainë një “pushtim rus”.

Ndërsa në anën tjetër, Franca po përgatit strehim për 10,000 refugjatët e parë nga Ukraina, sipas zëdhënësit të qeverisë franceze, Gabriel Attal.

Këshilli kombëtar francez i mbrojtjes ka aktivizuar një njësi ndërministrore për të përgatitur dhe koordinuar ardhjen e refugjatëve ukrainas në Francë, shtoi ai.

Të martën, ministrja Marlene Schiappa tha se 5000 ukrainas kanë mbërritur tashmë në Francë. Është krijuar gjithashtu një faqe interneti për francezët që të dalin vullnetarë për të pritur familjet ukrainase që ikin nga lufta./UBTNews/

Exit mobile version