UBT News

Kina operon me mbi 100 stacione policore nëpër botë, përfshirë në Serbi

Pekini ka ngritur më shumë se 100 stacione të ashtuquajtura policie jashtë shtetit në të gjithë globin për të monitoruar, frikësuar dhe në disa raste riatdhesuar shtetasit kinezë që jetojnë në mërgim. Kjo duke përdorur marrëveshjet dypalëshe të sigurisë të arritura me vendet në Evropë dhe Afrikë për të zgjeruar praninë e saj në arenën ndërkombëtare, shkruan CNN.

Organizata e të drejtave të njeriut, Safeguard Defenders me seli në Madrid (Mbrojtësit e Sigurisë) tha se gjeti prova se Kina po operonte 48 stacione shtesë policore jashtë vendit, që kur kjo organizatë për herë të parë zbuloi në shtator ekzistencën e 54 stacioneve të tilla.

Raporti i ri përqendrohet në shkallën e rrjetit dhe shqyrton rolin që kanë luajtur nismat e përbashkëta policore midis Kinës dhe disa shteteve evropiane, përfshirë Serbinë, Kroacinë, Rumaninë dhe Italinë.

Ndër pretendimet e reja të ngritura nga grupi: se një shtetas kinez u detyrua të kthehej në shtëpi nga operativë që punonin të fshehtë në një stacion policie jashtë shtetit kinez në një periferi të Parisit, të rekrutuar shprehimisht për këtë qëllim, përveç një zbulimi të mëparshëm se dy të mërguar kinezë të tjerë janë kthyer me forcë nga Evropa – njëri në Serbi, tjetri në Spanjë.

Kina ka nënshkruar marrëveshje për patrullime të përbashkëta policore me Kroacinë dhe Serbinë ndërmjet viteve 2018 dhe 2019 si pjesë e nismës së saj “Brezi dhe Rruga”.

Oficerët kinezë janë parë duke patrulluar me homologët e tyre kroatë në rrugët e Zagrebit në korrik të këtij viti, kanë raportuar mediat kineze. Ndërkaq, një zyrtar policor i Zagrebit ka thënë për agjencinë Xinhua se patrullat ishin thelbësore “për të mbrojtur dhe për të tërhequr turistë të huaj”.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi më 4 dhjetor se nuk është në dijeni për informacionet se Kina ka stacione policore në Serbi.

“Ne theksojmë se bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit midis Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe Ministrisë për Siguri Publike të Republikës Popullore të Kinës, sa i përket zbatimit të patrullave të përbashkëta policore, që është nënshkruar më 19 maj të vitit 2019, gjashtë policë kinezë kanë qenë prezentë në patrullat e përbashkëta të policëve serbë dhe kinezë vetëm për një muaj, nga 17 shtatori deri më 16 tetor të vitit 2019”, u tha në njoftim.

Kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë të dërguara më 30 tetor, për të konfirmuar apo mohuar ekzistencën e stacioneve policore kineze në Serbi, siç kishte raportuar organizata Safeguard Defenders në raportin e parë të publikuar në shtator të këtij viti.

Sipas raportit të Safeguard Defenders, Kina po përdor këto rrjete policore për të bindur disa banorë të saj të kthehen në Kinë, edhe pa vullnetin e tyre, që sipas të dhënave zyrtare kineze, mund të bëhet fjalë për çerek milion kinezë në mbarë botën, që kur Xi Jinping ka marrë pushtetin në Kinë.

“Ajo çfarë po shohim nga Kina është rritje e përpjekjeve për të shtypur disidencën gjithkund në botë, për të kërcënuar njerëzit, për t’i ngacmuar ata, për t’u siguruar që t’i frikësojë mjaftueshëm sa të qëndrojnë të heshtur ose në të kundërtën përballen me kthim në Kinë, kundër vullnetit të tyre”, tha drejtoresha e Safeguard Defenders, Laura Harth.

Që nga publikimi i parë i kësaj organizate në shtator lidhur me këtë temë, ka pasur reagime në shumë shtete.

Muajin e kaluar, drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Christopher Wray, tha para një komiteti të sigurisë kombëtare se ishte thellësisht i shqetësuar me gjetjet.

“Është shqetësuese të mendosh që policia kineze mund të ngrehë stacione, le të themi në Nju Jork, pa një koordinim të mirëfilltë. Kjo shkel sovranitetin dhe proceset për bashkëpunim mes institucioneve të rendit”, tha ai.

Irlanda ka mbyllur një stacion policor kinez që e ka gjetur në territorin e saj, ndërkaq Holanda ka ndërmarrë masa të ngjashme duke nisur një hetim, sikurse ka bërë edhe Spanja.

Harth nga Safeguard Defenders tha se ka të ngjarë që organizata të gjejë edhe më shumë stacione të tilla në të ardhmen.

“Kina nuk po fsheh atë që po bën. Ata shprehimisht thonë se do t’i zgjerojnë këto operacione, prandaj le t’i marrim seriozisht” këto deklarata, tha ajo.

Exit mobile version