Kina i ka dërguar Bangladeshit gjysmë milioni doza të vaksinës Sinopharm për ta përmbushur kështu boshllëkun e krijuar nga India pas krizës që u thellua atje nga pandemia.
Pas rritjes së rasteve me COVID-19 gjatë muajit maj, India ndaloi eksportin e vaksinave në disa vende përfshirë vendet e Azisë Jugore në të cilat New Delhi ka ndikim.
Ndonëse Dhaka ka nënshkruar marrëveshje me Indinë për t’i blerë 30 milionë doza, vetëm 7 milionë kanë arritur – plus 3.3 milionë si dhuratë – para se New Delhi të ndalonte eksportin.
Në anën tjetër, Senegali do t’i pranojë 300 mijë doza të vaksinës kineze, Sinopharm, gjatë kësaj jave. Në një postim në Twitter, presidenti i Senegalit, Macky Sall, njoftoi se Kina do t’ua dhurojë 300 mijë doza të vaksinës, dhe 308 mijë shiringa.
“E vlerësoj këtë gjest solidariteti nga Kina”, shkroi ai mes tjerash në një postim në Twitter.
Senegali që nga fillimi i pandemisë ka regjistruar 40 mijë raste me COVID-19 dhe 1 mijë e 121 raste të vdekjes.
Senegali ka pranuar 300 mijë doza të vaksinës AstraZeneca këtë vit nga programi COVAX për t’u ndihmuar vendeve të varfëra. Por Qeveria bleu edhe 200 mijë doza të vaksinës Sinopharm për fushatën e vaksinimit./UBTNews