UBT News

Kina mohon se ka testuar raketë hipersonike me aftësi bërthamore

Kina ka mohuar lajmet se ka testuar një raketë hipersonike me aftësi bërthamore në fillim të këtij viti, duke këmbëngulur se ishte vetëm një kontroll rutinë i anijeve kozmike, transmeton UBT News.

Të hënën, zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Zhao Lijian, tha në një konferencë për mediat se një test rutinë ishte kryer në korrik për të verifikuar lloje të ndryshme të teknologjisë së anijeve kozmike të ripërdorshme.

“Kjo nuk ishte një raketë, kjo ishte një anije kozmike”, tha ai. “Kjo ka një rëndësi të madhe për uljen e kostos së përdorimit të anijeve kozmike”.

Zhao shtoi se shumë vende kishin kryer teste të ngjashme në të kaluarën. Kur u pyet nëse raporti i Financial Times ishte i pasaktë, ai u përgjigj “po”.

Raporti i së shtunës citoi pesë burime anonime të cilët thanë se një raketë hipersonike ishte lëshuar në verë.

“Testi tregoi se Kina kishte bërë përparim mahnitës në armët hipersonike dhe ishte shumë më e avancuar nga sa kishin kuptuar zyrtarët amerikanë”, thuhej në raport, transmeton UBT News.

Një anëtar i lartë i Kongresit më vonë tha se një test i tillë do të duhej të shërbente si një thirrje për veprim për Amerikën.

Mike Gallagher, një anëtar republikan i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nëse Uashingtoni do t’i përmbahej qasjes aktuale, do të humbte një Luftë të Ftohtë të re me Kinën, brenda një dekade.

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës janë të tensionuara, me Pekinin që akuzon administratën e Presidentit Joe Biden si armiqësor.

Një numër i vendeve perëndimore gjithashtu kanë shprehur shqetësim për veprimet e fundit të Kinës sa i përket fuqisë ushtarake./UBTNews/

Exit mobile version