UBT News

Kina miraton subvencion për fëmijët e vegjël në përpjekje për të frenuar krizën demografike

Kina ka njoftuar një nismë të re kombëtare për të frenuar rënien e lindjeve dhe për të përballuar krizën demografike në rritje. Duke filluar nga ky vit, prindërit do të përfitojnë një subvencion vjetor prej 3,600 juanë (rreth 500 dollarë) për secilin fëmijë nën moshën tre vjeç.

Sipas mediave shtetërore, kjo masë do të përfshijë rreth 20 milionë familje dhe synon të lehtësojë barrën ekonomike të rritjes së fëmijëve, një nga arsyet kryesore që ndikon në hezitimin e çifteve për të pasur më shumë fëmijë. Kina është një nga vendet me koston më të lartë të edukimit dhe mirërritjes së fëmijëve në raport me të ardhurat mesatare.

Kjo është përpjekja e parë në nivel kombëtar që prej heqjes së politikës së vetëm një fëmije, gati një dekadë më parë. Megjithëse autoritetet kanë bërë thirrje të vazhdueshme për rritjen e lindshmërisë, numri i lindjeve në vend ka vijuar të bjerë, duke ngritur alarmin për të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendit më të populluar në botë.

Në janar 2025, Byroja Kombëtare e Statistikave raportoi se në vitin 2024 janë regjistruar 9.54 milionë lindje, një rritje e lehtë krahasuar me vitin paraardhës. Megjithatë, popullsia e përgjithshme ka shënuar rënie për të tretin vit radhazi, duke u ulur në rreth 1.4 miliardë banorë.

Plakja e popullsisë dhe tkurrja e fuqisë punëtore po konsiderohen si sfida serioze për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Kjo nismë e re shihet si një hap konkret për të ndaluar këtë trend, edhe pse ekspertët theksojnë se mund të kërkohen politika më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për të nxitur lindshmërinë në mënyrë afatgjatë.

Exit mobile version