Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rritur maksimalisht tarifat mbi importet kineze, Pekini po kërkon vende të tjera në përpjekje për të krijuar një front për të detyruar Uashingtonin të tërhiqet.
Por pas disa ditë përpjekje, suksesi ka qenë i pjesshëm, pasi shumë vende kanë zgjedhur të mos bëjnë aleancë me shenjëstrën kryesore të luftës tregtare të Donald Trump.
Deri më tani, Kina i ka refuzuar bisedimet me administratën amerikane, duke deklaruar se do ta luftojë deri në fund betejën e tarifave dhe duke detyruar presidentin amerikan t’i rrisë ato në 125 për qind.
Nga ana e tij, Pekini është hakmarrë me tarifa prej 84 për qind ndaj produkteve amerikane, të cilat hynë në fuqi të mërkurën.
Lëvizja e Trump në pamje të parë dukej një përpjekje për të ngushtuar atë që kishte qenë një luftë e paprecedent mes Amerikës dhe pjesës tjetër të botës në një përballje mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
“Një kauzë e drejtë merr mbështetjen e shumë njerëzve. Shtetet e Bashkuara nuk do ta fitojnë këtë mbështetje dhe do të dështojnë në nismën e tyre”, deklaroi të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian.
Kina deri tani është fokusuar tek Evropa dhe kryeministri Li Qiang e ka diskutuar çështjen në një bisedë telefonike me presidenten e KE, Ursula von der Leyen.
“Kina është e gatshme të punojë me BE-në për të thelluar shkëmbimet tregtare, rritur investimet dhe bashkëpunimin industrial”, raportoi agjencia e lajmeve “Xinhua”.
Për këtë qëllim u zhvillua edhe një video-konferencë mes ministrit kinez të Tregtisë dhe komisionerit të BE-së për Tregtinë, Maroš Šefčović, për të diskutuar edhe tarifat reciproke të SHBA.