Kina kërcënoi se do të shqiptojë dënime me vdekje në rastet ekstreme të “separatistëve” të pavarësisë së Tajvanit, edhe pse gjykatat kineze nuk kanë juridiksion në ishullin vetëqeverisës.
Kina, që e sheh Tajvanin si pjesë të saj, nuk e fsheh faktin që nuk i pëlqen presidenti tajvanez, Lai Ching-te, i cili mori detyrën muajin e kaluar. Pekini thotë se ai është “separatist” dhe që kur ai është inauguruar në postin e presidentit, Kina ka zhvilluar stërvitje ushtarake.
Por, udhëzimet e reja thonë se gjykatat në Kinë, prokuroritë dhe trupat publikë dhe shtetërorë të sigurisë “duhet të dënojnë rëndë mbështetësit e pavarësisë së Tajvanit për shkak se ata po e ndajnë shtetin dhe po nxisin krimet e shkëputjes”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë, Xinhua., duke shtuar se një udhëzim i tillë është lëshuar pasi “duhet të mbrohet sovraniteti i shtetit, uniteti dhe integriteti territorial”.
Udhëzimet po lëshohen në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë edhe ligjin e vitit 2005 kundër shkëputjes, tha Xinhua.
Ky ligj i jep Kinës bazë ligjore për veprim ushtarak kundër Tajvanit në rast se ky ishull shkëputet apo tenton të shkëputet.
Ende nuk ka reagim nga Qeveria e Tajvanit për këtë njoftim të bërë nga Kina.
Kina në të kaluarën ka ndërmarrë masa ligjore ndaj zyrtarëve të Tajvanit, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Hsiao Bi-khim, ish-ambasadorit de facto të Tajvanit në Shtetet e Bashkuara. Ai aktualisht është zëvendëspresident i Tajvanit./REL