UBT News

Kina ka kritikuar përpjekjet e SHBA-së për të hetuar më tej nëse Covid-19 doli nga një laborator kinez

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden u ka bërë thirrje zyrtarëve të inteligjencës që të “dyfishojnë” angazhimin e tyre për të gjetur se si virusi u transmetua për herë të parë tek njerëzit.

Ministria e jashtme e Kinës akuzoi ShBA-në për “manipulim politik dhe bartje faji”. Ata kanë hedhur poshtë çdo lidhje midis COVID-19 dhe një laboratori kërkimesh për viruset në qytetin kinez të Wuhan.

Kujtojmë që Covid-19 u shfaq për herë të parë në Wuhan në fund të vitit 2019. Që nga ajo periudhë, janë konfirmuar më shumë se 168 milionë raste në të gjithë botën dhe rreth 3.5 milionë vdekje të raportuara.

Autoritetet lidhën rastet e hershme COVID-19 me një treg të prodhimeve të detit në Wuhan, duke i çuar shkencëtarët në teori se virusi u kishte kaluar njerëzve për herë të parë nga kafshët. Por raportet e fundit të mediave amerikane kanë sugjeruar prova në rritje që virusi mund të ketë dalë nga një laborator në Kinë, ndoshta përmes një rrjedhje aksidentale.

Pse po ndodh ky diskutim tani?

Në një deklaratë të mërkuren, presidenti Biden tha se ai kishte kërkuar një raport mbi origjinën e COVID-19 pas marrjes së detyrës, “përfshirë nëse virusi doli nga kontakti njerëzor me ndonjë kafshë të infektuar ose nga një aksident laboratorik”.

Z. Biden tha se shumica e komunitetit të inteligjencës ishte “bashkuar” rreth këtyre dy skenarëve, por “nuk ka informacion të mjaftueshëm për të vlerësuar se cili ka më shumë mundësi [të jetë i saktë] sesa tjetri”.

Ai tha se tani u kishte kërkuar agjencive që të “dyfishonin përpjekjet e tyre për të mbledhur dhe analizuar informacione që mund të na afronin në një konkluzion”.

Njoftimi i Presidentit Biden zemëroi zyrtarët kinezë

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Zhao Lijian tha se kjo tregoi që ShBA-së “nuk i intereson për faktet ose për të vërtetën dhe nuk kanë interesim për një studim serioz të bazuar në shkencë [lidhur me origjinën e virusit]”.

“Qëllimi i tyre është të përdorin pandeminë për të bërë manipulim politik dhe të bartin fajin. Ata nuk kanë respektuar shkencën, janë të papërgjegjshëm ndaj jetës së njerëzve dhe jo produktiv ndaj përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar virusin”, u shpreh ai.

Zëdhënësi gjithashtu shtoi se agjencitë e inteligjencës amerikane kishin një “histori të errët” të përhapjes së dezinformatave./UBTNews

Exit mobile version